20:42 / E Hënë, 30 Prill 2018 / indeksADMonline

Suspendohen policët që shqelmonin qytetarin e prangosur

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar  se e ka trajtuar rastin e një video-incizimi, në të cilin shihen pjesëtarët e Policisë duke e rrahur një qytetar të prangosur.

Dy prej zyrtarëve të implikuar në këtë rast tashmë janë suspenduar nga Policia e Kosovës por për një rast tjetër në të cilin ata janë si të dyshuar.

Në një përgjigje për kallxo.com, IPK thotë se Departamenti i Hetimeve i Inspektoratit bazuar në autorizimet ligjore dhe fushëveprimin e vet ka trajtuar rastin e video-incizimit të publikuar sot në disa media.

“Hetuesit e IPK-së lidhur me këtë rast kanë ndërmarrë disa veprime hetimore dhe i njëjti është përcjellë në prokurorinë kompetente”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit.

Inspektorati i Policisë së Kosovës është përgjigjur kështu lidhur me një video-incizim në të cilin shihen pjesëtarë të Policisë duke e shqelmuar një qytetar, të cilin paraprakisht e kishin prangosur.

Rasti, sipas qytetarit që ka dërguar video- ka ndodhur më 24 prill të vitit të kaluar.

Sipas përgjigjes, Inspektorati Policor ka rekomanduar masën e suspendimit të dy dy zyrtarëve policorë.

Por, kjo kërkesë për suspendim lidhet me një rast tjetër që IPK është duke e hetuar.

Sipas Inspektoratit, Policia e Kosovës që nga data 27 prill 2018 ka përfillur kërkesën për suspendim, pasi që të njëjtit zyrtarë policorë janë të përfshirë në një rast tjetër si të dyshuar.