09:32 / E Enjte, 13 Shtator 2018 / indeksADMonline

Suspendohet një mjek në QKUK, nuk u gjetë në vendin e punës

Specialisti i urologjisë, Fahredin Veselaj është larguar përkohësisht nga puna, kjo pasi gjatë një inspektimi nuk është gjetur në vendin e punës.

Burime të Indeksonline kanë treguar se kirurgu Veseli është suspenduar për gjashtë muaj.

Suspendimin nga puna  të Veselit e ka konfirmuar edhe zyra e drejtorit të SHSKUK-së, Basri Sejdiu.

Në një përgjigje për Indeksonline kanë bërë të ditur se lënda është proceduar në komision disiplinor i cili do të marr vendim.

“Zyra e drejtorit të përgjithshëm e SHSKUK, ju konfirmon se dr. Fahredin Veselaj, specialist i urologjisë është larguar përkohësisht nga puna, meqë me datë 11.09.2018, drejtori i përgjithshëm i SHSKUK, dr. Basri Sejdiu, gjatë inspektimit në kujdestari, kishte konstatuar se, edhe pse figuronte kujdestar, i njëjti nuk ndodhej në vendin e punës. Lënda është proceduar në komisionin disiplinor i cili do të marrë vendim”, thuhet në përgjigjën e tyre.

Nuk është rasti i parë ky që suspendohen doktorët për mungesë në punë, kjo pasi edhe në muajin kaluar tre mjekë janë suspenduar nga puna, 3 të tjerë janë dërguar në komision disiplinor përfshirë edhe 2 infermierë./Indeksonline/