11:39 / E Premte, 29 Prill 2022 / k.v

Sveçla- Simiçit: Në veri nuk ka rrugë alternative, ka rrugë ilegale

Deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiç ka parashtruar disa pyetje për ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sa i përket mbylljes së disa rrugëve në veri dhe mungesës sipas tij për të qarkulluar lirshëm banorët e asaj zone.

Sveçla në përgjigjen e tij ka thënë se në veri nuk ka rrugë alternative por atje ka rrugë ilegale, raporton IndeksOnline.

“Krejt çka ka bërë policia është se ka penguar shfrytëzimin e atyre rrugëve për aktivitete ilegale. Jam njoftuar se ka ankesa nga banorët e asaj zone të cilat në bashkëpunim me KFOR dhe ministritë përkatëse jemi duke i adresuar. P.sh ka raste që një rrugë kalon në territor të Serbisë dhe shfrytëzohet nga lokacionet në territor të Kosovës. Në do të bëjmë rrugë të reja që nuk e bëjnë të domosdoshëm kalimin nëpër territor të Serbisë. Është obligim ligjor tu shërbejmë qytetarëve pa dallim. Jam i detyruar tu shërbejmë gjithmonë brenda ligjit”, ka thënë Sveçla.

Sveçla ka deklaruar se janë të gatshëm për të hapur edhe një pikë të re të kalimit kufitar në veri.

“Sa i takon shtimit apo kalimit të qytetarëve në atë zonë, ne kemi dy kalime kufitare, Bërnjak dhe Jarinje dhe kemi iniciativë që të hapim edhe pikën e tretë në Izvor, por nuk ka gatishmëri nga Serbia që kjo të realizohet”, ka deklaruar ministri i rendit./IndeksOnline/