19:14 / E Mërkurë, 17 Qershor 2020 / indeksADMonline

Syla: Pandemia është maratonë jo sprint, derisa të kemi trajtim apo vaksinë efektive!

Drejtori i OBSH-së në Bullgari, Skender Syla, përmes një postimi të bërë në Facebook ka thënë se gurthemel i përgjigjes ndaj Pandemisë COVID-19 mbetet gjurmimi aktiv, testimi, izolimi dhe karantinimi i çdo kontakti.

Derisa sipas tij masat tjera; distanca fizike, higjiena e duarëve dhe ajo respiratore duhet zbatuar dhe respektuar strikt.

“OBSH rekomandon që maska ​t mjekësore të përdoren nga individë të sëmurë me COVID-19, individë që kujdesen për ta në shtëpi dhe punonjës shëndetësorë kur merren me pacientë të dyshuar ose konfirmuar me COVID-19. Në zonat me transmetim të gjerë, OBSH këshillon të gjithë individët që punojnë në institucione shëndetësore të përdorin maska mjekësore;

Në zonat me përhapje në komunitet, individët e moshës 60 vjeç +, ose ata me sëmundje kronike, duhet të mbajnë maska mjekësore në situata kur distanca fizike nuk është e mundur;

Qeveritë duhet të inkurajojnë publikun e gjerë të përdorë maska ​​kur ka përhapje të gjerë dhe distanca fizike është e vështirë, siç është transporti publik, në dyqane ose në mjedise të tjera të mbyllura ose të frekuentuara me individë”,shkruan Syla.

Ai tutje thotë se pandemia është maratonë jo sprint.

“Së paku kështu do të jetë derisa të kemi trajtim apo vaksinë efektive.

Secili mund të kontribuoj në ruajtjen e shëndetit publik. KONTRIBUO EDHE TI!”, përfundon ai./Indeksonline