16:51 / E Enjte, 06 Tetor 2022 / shkelqim osmanaj

Tahiri dorëzon kallëzim penal për ministrin Murati, ka një mesazh për mësimdhënësit

Shefi I GP të PDK-së, pas bëri kallëzim penal ndaj ministrit Hekuran Murati, ka dalë më një deklaratë drejtuar mësimdhënësve.

Ai ka thënë se nuk mund të qëndrojë duarkryq përballë ‘’dënimit të tyre të padrejtë’’.

Opozita sot lëshoi mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit pikërisht për shkak të mos ekzekutimit të pagave të mësimdhënësve që ishin pjesë e grevës./IndeksOnline/

Ky është postimi i plotë i Tahirit:

Kallëzim Penal në Prokurorinë Speciale!

Të dashur mësimdhënës,

Përballë dënimit tuaj të padrejtë e të kundërligjshëm nuk mund të rrijmë duarkryç e të solidarizohemi me fjalë.

Ju, nuk keni kërkuar asgjë më shumë se dinjitet dhe nuk mund të dënoheni vetëm pse keni zgjedhur të ushtroni të drejtën kushtetuese për grevë.

Edhe të hënën (pas mbedhjes së Kryesisë së Kuvendit) paralajmërova zyrtarët e papërgjegjshëm të kësaj qeverie se nëse nuk i ekzekutojnë sa më parë pagat, do të parashtrojmë kallëzim penal kundër tyre.

Edhe sot, bojkotuam mbledhjen e Kryesisë për këtë shkak. Mirëpo sot, po ashtu ne vepruam!

Vepruam sepse pasojat e keqpërdorimit të detyrës zyrtare të Ministrit Murati dhe vartësit të tij z.Spahiu, po i vuajnë mbi 23 mijë mësimdhënës e mbi 5 mijë punëtorë administrativ dhe teknik të shkollave që janë punëtorë të komunave e jo të qeverisë. Kjo e fundit, nuk ka asnjë kompetencë ligjore për t’iu ndalë pagën, si elementi bazë i marrëdhënies tuaj të punës – mes juve – si punëmarrës dhe komunave – si punëdhënës.

Kjo shkelje ligjore është edhe më e rëndë pasi qeveria ka aplikuar standard dhe diskriminim të dyfishtë: e para, nuk ua ka ndalur pagën të gjithë pjesëmarrësve të grevës, por vetëm një pjese të tyre dhe e dyta, ua ka ndalur pagën edhe atyre pak mësimdhënësve të cilët në disa komuna e në disa shkolla brenda tyre, i kanë mbajtur orët mësimore dhe nuk kanë qenë pjesëmarrës në grevë.