15:30 / E Shtunë, 22 Qershor 2019 / indeksADMonline

Tahiri falendëron Kosnett-in për korrektësinë, thotë se Kosova s’ka partner më të fuqishëm se ShBA

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri sërish ka reaguar pas sqarimit të deklaratës nga ana e ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, duke e falënderuar këtë të fundit për korrektësinë. Tahiri ka shtuar se shqetësimet dhe përpjekjet për fuqizimin e sundimit të ligjit janë të përbashkëta dhe puna jonë duhet të vazhdojë me këmbëngulësi.

Ministri Tahiri ka shkruar në Facebook se vetëm sundimi i ligjit e bën Kosovën një Republikë të cilën e presin dhe e duan qytetarët e saj.

“E falënderoj Ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett për korrektësinë. Republika jonë nuk ka pasur partner më të fuqishëm sesa SHBA-të në rrugën tonë drejt konsolidimit. Shqetësimet dhe përpjekjet për fuqizimin e sundimit të ligjit janë të përbashkëta dhe puna jonë duhet të vazhdojë me këmbëngulësi. S’ka rrugë të mesme. Vetëm sundimi i ligjit e bën Kosovën një Republikë të cilën e presin dhe e duan qytetarët e saj”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, në të shumtën e rasteve zgjedh rrjetin social Twitter për të adresuar kritikat dhe lavdërimet për punën e institucioneve të Kosovës, e kështu ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme.

Kosnett kritikoi Ministrinë e Drejtësisë për lirimin e një të dënuari pas vetëm 13 muaj të vuajtjes së dënimit.

Pas reagimit të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, se institucioni që drejton nuk kompetenca për lirimin nga burgje të të burgosurve, sot ambasadori zgjodhi sërish Twitter-in për të thënë se kishte gabuar.

“Sqarim: Gjykata e Apelit ka urdhëruar Ministrinë e Drejtësisë për të liruar një kriminel luftë të dënuar me 15 vjet burgim në Rastin e Kukësit, ai ka mbajtur më pak se 12 muaj burgim në 3 vjetët e kaluar. Abuzimi i rregullt përmes sistemit të pushimit mjekësor nga kriminelë me lidhje dhe dënimet e pezulluara duhet të ndalen” shkroi Kosnett.

Ambasadori kujtoi edhe se çfarë kishte shkruar dje: “Versioni origjinal i këtij shkrimi thotë se Ministria e Drejtësisë nënshkroi lirimin. Ligji i ndryshuar mbi Ekzekutimin e Sanksioneve Penale lë këtë vendim të duart e gjyqtarëve individualë. E vlerësoj mundësinë për të korrigjuar shkrimin e mëhershëm” shkroi ai.