13:37 / E Premte, 02 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Tahiri fton deputetët të votojnë komisionin për provimin e jurisprudencës

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka ftuar deputetët e Kuvendit që të mbështesin përbërjen e komisionit për provimin e jurisprudencës.

Tahiri ka thënë se është i përkushtuar në ngritjen e cilësisë në organizimin e provimit të Jurisprudencës, transmeton Indeksonline.

“Unë besoj fuqishëm që pa humbur kohë, do të mund të organizojmë provimin e jurisprudencës për të gjithë ata që duan të kontribuojnë në transformimin e mëtejmë të sistemit të drejtësisë dhe për të mbështetur edhe drejtpërdrejtë konsolidimin e Shtetit të së Drejtës” ka shtuar Tahiri.

Postimi i plotë:

Provimi i jurisprudencës është parakusht themelor për ushtrimin e profesionit të gjyqtarit, prokurorit apo avokatit dhe hapi më i rëndësishëm drejt ndërtimit të karrierës profesionale të një juristi. Kuadrot e përgatitura profesionalisht, do t’i bashkohen gjyqësorit, prokurorisë, avokatisë dhe profesioneve të lira ligjore, për të ndihmuar Kosovën në ndërtimin dhe fuqizimin e kapaciteteve institucionale por edhe vet ngritjes dhe konsolidimit të kulturës së mirëfilltë juridike dhe profesionale në pajtim me standardet më të larta ndërkombëtare. Mu për këtë jam përkushtuar në ngritjen e cilësisë në organizimin e provimit të jurisprudencës dhe rrjedhimisht, kam përcjellur në Qeveri propozimin për formimin e Komisionit i cili kësaj radhe, në përbërje të tij, ka figurat më eminente të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Miratimi i propozimit për formimin e Komisionit tani mbetet të votohet nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët edhe i ftojë publikisht të mbështesin përbërjen e propozuar dhe kredibilitetin profesional që karakterizon secilin anëtar të propozuar. Unë besoj fuqishëm që pa humbur kohë, do të mund të organizojmë provimin e jurisprudencës për të gjithë ata që duan të kontribuojnë në transformimin e mëtejmë të sistemit të drejtësisë dhe për të mbështetur edhe drejtpërdrejtë konsolidimin e Shtetit të së Drejtës./Indeksonline/