16:12 / E Martë, 04 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Tahiri: Gjyqësori në veri është duke funksionuar pa probleme

Drejtuesit i institucioneve të drejtësisë në vend kanë bërë të ditur se gjyqësori në veri është duke punuar dhe nuk ka pezullim të punës, ndonëse gjendja në veri nuk është e mirë për shkak të vendimit të Qeverisë për vendosjen e taksës 100 përqind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Kështu u bë e ditur sot gjatë raportimit para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ku temë kryesore ishte gjendja në Gjykatën e Kosovës në veri të Mitrovicës.Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri gjatë raportimit ndonëse  e ka pranuar se gjendja është e brishtë u shpreh se  gjykatat në veri janë duke punuar, por vetëm   periudha e protestave po ndikon në mosfunksionimin e gjykatës, pasi këto protesta po mbahen para Gjykatës Themelore të Mitrovicës veriore.Ai tutje tha se pas dorëheqjeve të kryetarëve si ministër është angazhuar t`iu qëndroj afër që mos të ndikojë politika në punën e gjykatave.Tahiri tha se për të parë gjendjen e funksionimit të gjykatave atje nuk ka qenë n ë vizitë, por informacionet i ka marr përmes shkresave zyrtare.Se gjyqësori në veri është duke funksionuar e ka thënë edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Nehat Idrizi,  i cili u shpreh se me shqetësim  e kanë përcjell gjendjen e krijuar pas vendimit të Qeverisë për taksën 100 përqind ndaj produkteve serbe.

Sipas tij gjendja është stabile në funksionimin  e sistemit të drejtësisë në atë pjesë të vendit, derisa pranon se letër zyrtare nga kryetari i Gjykatave, Nikolla Kabashiq nuk kanë pranuar si Këshill Prokurorial.Idrizi u shpreh se si Këshill i Gjyqësorit përmes një shkrese iu kanë bërë thirrje të gjithë gjyqtarëve që veprojnë në veri të përmbahen nga deklarimet publike.                  Ndërsa, Bahri Hyseni përfaqësues i Këshillit Prokurorial  u shpreh se gjendja e prokurorëve që veprojnë në veri të Mitrovicës është në rregull, dhe se çdo ditë janë në kontakt dhe janë duke e përcjell gjendjen.

Sipas tij me interes për Këshillin Prokurorial të Kosovës është që të trajtohen lëndët në ndodhen në Gjykatën Themelore në Mitrovicën veriore, me qëllim që ato të mos mbesin pa u trajtuar.Kryetarja e  Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu e ka konsideruar të papranueshme se si Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka ndërmarr asnjë veprim karshi kryetarit të Gjykatës në veri, Nikolla Kabashiq.

Si shqetësim ajo e ka ngritur edhe çështjen e dy gjyqtarëve që nuk punojnë në gjykatën Themelore në veri, por që paguhen, e këtë çështje e ka pranuar edhe kryesuesi i Këshillit të Gjyqësorit të Kosovës, Nehat Idrizi por që u shpreh se tani ata dy persona më nuk paguhen nga buxheti i Kosovës.

Haxhiu e ka konsideruar gabim edhe  shkuarjen e krerëve të sistemit të drejtësisë për të diskutuar në Bruksel për drejtësinë në Kosovë.Frashër Krasniqi anëtar i komisionit nga PSD u shpreh se pas këtij rasti të gjitha palët e subjektet duhet të ulen për të kërkuar strategji si duhet të veprohet ndaj Serbisë.Ai u shpreh se që kur votohet me Serbinë zgjidhjet janë gjysmake, përmes të cilave gjithmonë është mundësuar ndikimi i Serbisë brenda Kosovës.Bilall Sherifi  nga Nisma Socialdemokrate,  u shpreh se organet e drejtësisë të pranishme edhe sot nuk mund të bëjnë asgjë për këtë gjendje pasi siç u shpreh eskalimi i gjendjes ka kaluar  në sferën politike.

E Korab Sejdiu ka deklaruar se Kosova po ballafaqohet me një agresion të Serbisë të cilin po e ndihmon edhe vetë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.Ndryshe, kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikola Kabashiq, pas vendosjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe iu ka shkruar letër ambasadorëve në Kosovë dhe shefave të misioneve ndërkombëtare që ta shfrytëzojnë autoritetin e tyre për të ndikuar te institucionet e Kosovës që ta ndryshojnë qëndrimin “në mënyrë që situata në Kosovë të normalizohet” dhe që ata “ta kthejnë besimin te banorët serbë”.

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka shqyrtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.03/L-256, në të cilin kanë kërkuar që tu mundësohet bashkatdhetarëve që të votojnë edhe përmes konsullatave dhe ambasadave.