12:21 / E Martë, 18 Shtator 2018 / indeksADMonline

Tahiri: Keqpërdoruesit e listave të veteranëve do të dalin para drejtësisë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka kërkuar që t’i jepet hapësirë e plotë Prokurorisë së Shtetit për të bërë punën e vet me profesionalizëm dhe pa asnjë ndikim në rastin e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në intervistë lidhur me rastin e fundit të aktakuzës së ngritur, i pari i drejtësisë në Qeverinë e Kosovës ka theksuar se me drejtësinë do të ballafaqohen të gjithë veteranët mashtrues.
“Keqpërdoruesit në emër të luftës së UÇK-së nuk do të tolerohen dhe nuk do të amnistohen për asnjë moment” ka theksuar Tahiri.
Cili është qëndrimi juaj në lidhje me zhvillimet e fundit rreth rastit të veteranëve?
E para është shumë e rëndësishme që të sqarohet për qytetarët se organet e pavarura të zbatimit të ligjit në Republikën e Kosovës janë mjaftueshëm kompetente për të administruar me çështje të tilla komplekse dhe për të nxjerrë në pah të vërteten rreth manipulimeve të mundshme me numrin e veteranëve të luftës së UÇK-së. Kjo natyrisht se kërkon hapësirë të plotë për Prokurorinë e Shtetit që të bëjë punën e vet me profesionalizëm dhe pa asnjë ndikim. Në këtë drejtim, asnjë përzierje apo komentim në adresë së punës së pavarur të prokurorisë nuk është kontribut në zbardhjen e të vërtetës. Së dyti, e kam bërë të qartë edhe më herët se mënyra komplekse e administrimit të kësaj çështje nuk duhet të tërheqë vëmendjen për asnjë moment nga qëllimi final i zbardhjes së numrit të atyre që jashtëligjshëm janë në listën e veteranëve si dhe shkarkimit nga lista të secilit veteran mashtrues, duke i shkarkuar njëkohësisht nga barra e taksapaguesve tanë si dhe vënien para përgjegjësisë së atyre që kanë keqadministruar me listën. Çdo person që është jashtë kritereve që definojnë statusin e veteranit të paraparë me ligjin në fuqi është padrejtësisht barrë për buxhetin e taksapaguesve tanë. Keqpërdoruesit në emër të luftës së UÇK-së nuk do të tolerohen dhe nuk do të amnistohen për asnjë moment. Në anën tjetër, veteranët e vërtetë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të ndihen komod me faktin se Republika e Kosovës është duke realizuar përkujdesjen institucionale sipas ligjeve në fuqi. Ata veteranë që i ka vulosur historia, do të gëzojnë statusin meritor dhe përkujdesjen e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës.
A e konsideroni se komentet e shumta në adresë të prokurorisë paraqesin ndërhyrje dhe kërcenim për punën e tyre në zbardhjen e këtij rasti?
Ne kemi institucione dhe organe të pavarura të zbatimit të ligjit, pavarësia dhe pacenueshmëria e punës së të cilave është garantuar me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi. Nuk ka asnjë lloj ndërhyrje apo kërcënimi, qoftë nga individët apo nga çfarëdo formati tjetër që do të mund të bëhet pengesë për punën e organeve të zbatimit të ligjit. Republika e Kosovës nuk do bëjë kurrë kompromis me shantazhin, kërcënimin apo tendencat për t’i ikur ballafaqimit me përgjegjësinë të secilit person që ka abuzuar në çfarëdo forme.