17:54 / E Hënë, 24 Shtator 2018 / indeksADMonline

Tahiri: Nesër lansojmë agjendën “Drejtësia 2020”

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se nesër do të lansoj agjendën “Drejtësia 2020”.

Sipas Tahirit, kjo agjendë dy vjeçare do të bëhet për të përmbyllur tranzicionin në sistemin e drejtësisë.

“Pas një angazhimi një vjeçar në kompletimin e legjislacionit dhe përkushtimit ndaj komponentëve të rëndësishme si parakusht për fuqizimin e Shtetit të së Drejtës, nesër do të lansojmë agjendën “Drejtësia 2020”.

Në dy vitet e ardhshme, institucionet e sistemit të drejtësisë, gjithsecili në veprimtarinë e vet dhe brenda përgjegjësive kushtetuese, duke respektuar në plotëni pavarësinë, neutralitetin dhe ndarjen e pushteteve, do të koordinohen për ta përmbyllur tranzicionin në sistemin e drejtësisë dhe për t’i siguruar atij kursin e progresit afatgjatë dhe të qëndrueshëm.” ka shkruar Tahiri.

Ministri ka potencuar se  efektet e kësaj agjende do të ndikojnë në përditshmërinë e qytetarëve, ndërkaq partner të rëndësishëm në këtë proces do të jenë edhe Zyra e BE-së dhe Ambasada e SHBA-së.

“Agjenda “Drejtësia 2020” që do të ketë partner të fuqishëm Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë si dhe Ambasadën e  Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të jetë angazhimi më i madh që ka ndodhur nga institucionet vendore për ta materializuar  shtetin ligjor, efektet e të cilit, qytetarët do t’i ndjejnë në përditshmërinë e tyre” ka përfunduar Tahiri në statusin e tij./Indeksonline/