11:29 / E Enjte, 12 Korrik 2018 / indeksADMonline

Tahiri: Projektligji për Dhomën e Posaçme do të zgjidh mbi 20 mijë lëndë të privatizimit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka mirëpritur votimin e Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme nga Kuvendi i Kosovës.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se funksionimi i këtij projektligji mundëson të zgjidhen mbi 20 mijë lëndë, transmeton Indeksonline.

Më poshtë postimi i Tahirit:

Kuvendi i Kosovës sot i dha mbështetjen Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, duke përmbyllur kështu procesin e përfundimit të Mandatit të EULEX-it, dhe duke mundësuar funksionimin e Dhomës së Posaçme në zgjidhjen e mbi 20 mijë lëndëve të procesit të privatizimit.

Ndryshimet e propozuara nga Ministria që unë drejtoj, do të mundësojnë efikasitet më të madh në trajtimin e këtyre lëndëve e rrjedhimisht edhe realizimin e pritjeve të qytetarëve që kanë pretendime legjitime nga procesi i privatizimit.

Me këto ndryshime dhe mbështetjen buxhetore të cilën ia kemi siguruar KGJK-së, nuk ka pengesa që shpërndarjet e 20%-shit dhe pagat e papaguara për punëtorët dhe kreditorët tjerë të ndërmarrjeve shoqërore të realizohen sa më shpejt që është e mundur. /Indeksonline/