18:31 / E Diele, 15 Korrik 2018 / indeksADMonline

Tahiri: S’ka përmbyllje të dialogut e as marrëveshje me Serbinë as këtë vit

Analisti politik dhe njohës i rrethanave politike në vend, Ramush Tahiri ka folur rreth takimit të radhës të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që do të mbahet të mërkurën në Bruksel.

Ky takim mbahet së bashku me shefen për Politikë të Jashtme dhe Siguri në Bashkimin Evropian (BE), Federica Mogherini, në kuadër të dialogut për normalizimin e  raporteve mes dy shteteve.

Duke komentuar takimin, Tahiri ka shpjeguar se nuk mund të pritet asgjë e re, pos deklarimeve në parim se palët janë për të vazhduar dialogun për normalizim marrëdhëniesh, të cilat sipas tij, nuk mund të përmbyllet këtë vit siç po kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare dhe po proklamohet, e as nuk pritet të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Ai po ashtu tha se çështjet e zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani në Bruksel, në kuadër të dialogut, janë të zgjidhura dhe kanë mbetur ashtu pa zbatim për arsye se po kushtëzohen.Takimi më 18 korrik mbahet pas një sërë veprimesh që janë në kundërshtim me idenë e dialogut për normalizim raportesh. Përfshirë largimin e dhjetëra pjesëtarëve të komunitetit serb që kanë qenë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës si pasojë e presionit nga autoritetet në Beograd, që po kundërshtojnë transformimin  e FSK-së në ushtri.

Tahiri tha se në takimin e së mërkurës mund të bisedohet edhe për këtë, porse Serbia e ka bërë tashmë të qartë se nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, e në këtë bazë nuk e pranon as ushtrinë duke e konsideruar si element që pasqyron shtetësinë.Ai ka përmendur po ashtu bisedimet për telekomunikacionin edhe energjetiken, kur  Kosova ia pranoi statusin e vazhdimësisë nga ish-Jugosllavia, Serbisë, edhe te kodi i telefonisë e bëri ashtu qysh e bëri dhe shumë vjet dhe u vonua, dhe nuk arriti të jetë pjesë drejtpërdrejt e prezantuar në mekanizmat ndërkombëtarë.Së fundmi, Zyra e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte njoftuar se udhëheqësit e institucioneve presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli,  kryeministri Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe zëvendëskryeministri dhe ministër për Diasporë dhe Investime Strategjike, Dardan Gashi, sot në një takim të përbashkët, vendosën që të mërkurën, më 18 korrik, të takojnë përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini në Bruksel.

I pyetur lidhur me këtë, Tahiri e ka quajtur shkuarjen e pozitës në Bruksel si veprim për konsum të brendshëm dhe shprehje të unitetit me Thaçin për dialog. Por ka sqaruar se nuk ka format të zgjeruar të dialogut.Tutje, ai ka thënë se partitë në pozitë edhe veç e veç po përfitojnë nga situata duke shprehur përkrahje për dialog para SHBA-ve dhe BE-së, por ka pohuar se ka edhe tendencë për të legjitimuar Thaçin si negociator, ngase atë po e kundërshton opozita.

Zyra e Mogherinit ka njoftuar para tre ditësh se shefja e politikës së jashtme dhe sigurisë së BE-së do të takojë presidentët Thaçi dhe Vuçiq për t’u siguruar rreth garancive për dialogun dhe marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative për të dyja palët, të cilën BE po synon të arrijë me palët në fund të dialogut. Ndryshe, takimi i presidentëve mbahet të mërkurën e javës së ardhshme në Bruksel, derisa opozita kosovare vazhdon të kundërshtojë përfaqësimin e Kosovës nga presidenti Thaçi në këto takime