16:38 / E Hënë, 10 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Tahiri: VV dhe LDK po provon të vejë në kontroll agjendën për kapjen e shtetit

Zyrtari i PDK-së, Abelard Tahiri përmes një postimi në Facebook ka kritikuar dy partitë në pushtet, LVV dhe LDK se po tentojnë ta kapin shtetin.

Po ashtu ka kritikuar kryetaren e parlamentit, Vjosa Osmani për sjellje antiligjore dhe militanteske, transmeton Indeksonline.

Tahiri ka kritikuar edhe ndarjen e komisioneve sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

Për më shumë lexojeni postimin e plotë:

Sjellja irracionale, antiligjore dhe militanteske e Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, po e dëmton imazhin e demokracisë tonë parlamentare dhe traditës shtet formuese që kemi ndërtuar. Kjo sjellje është e papranueshme. Ajo po e mban peng funksionimin e mirëfilltë të grupeve parlamentare dhe po e cenon qëllimshëm punën e opozitës në Kuvendin e Republikës.

Për shkak të sjelljes së saj antiligjore e irracionale dhe të qëllimshme e të akorduar me Albin Kurtin, opozitës po i kufizohet ushtrimi i rolit të saj. Kjo u pa sot, kur në mungesë të PDK-së, partitë në pushtet kanë përzgjedhur Komisionet Parlamentare në një format jashtëzakonisht të dëmshëm për transparencën, llogaridhënien, qeverisjen e mirë dhe zhvillimin demokratik të sferës institucionale.

Fakti se VV-ja dhe LDK-ja që drejtojnë qeverinë, kanë marrë përsipër kryesimin e komisioneve kryesore parlamentare siç është ai për Legjislacion; Buxhet dhe Financa; Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së; Bujqësi e Zhvillim Rural, si dhe atë për Arsim, Shkencë e Teknologji, është treguesi më i qartë se pushteti aktual po provon të vejë në kontroll agjendën për kapjen e shtetit duke eliminuar kështu linjat e llogaridhënies.

Kjo ndarje e komisioneve është goditje ndaj vlerave të një demokracie parlamentare, ku opozitës po i pamundësohet mbikëqyrja e aspekteve vitale të qeverisjes.

Megjithëse me këto veprime, tendencat për “uzurpimin” e agjendës politike dhe shmangien e llogaridhënies përballë qytetarëve janë mjaft të qarta, ne si deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës do angazhohemi me çdo kusht dhe në mënyrë të pa kompromis që ky pushtet, të mos arrijë të cenojë vlerat e demokracisë parlamentare dhe të mos arrijë t’i shmanget llogaridhënies.
Rruga e tyre për bllokimin tonë në Kuvend, është rrugë qorre dhe do t’i shpie në qorrsokak.