14:58 / E Enjte, 31 Dhjetor 2020 / Blerim

Tahiri:Ky vit me shumë sfida, viti i ri të jetë i kthesës historike në sferën ekonomike

Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri ka shkruar për sfidat e këtij viti dhe për prioritetet e vitit të ardhshëm.

Ai e ka cilësuar vitin 2020 si tepër të ngarkuar me sfida, duke përmendur pandeminë. Por pavarësisht humbjeve, ai thotë se do t’ia dalim dhe duhet të jemi më të fortë se kurrë.

“Dua të ndajë me ju një reflektim dhe urim. Nuk duhet ta humbim rastin për të thelluar procesin e rimëkëmbjes ekonomike dhe sociale të shkaktuar nga COVID-19 gjatë këtij viti që po e lëmë pas. Andaj, të bashkuar duhet të shtyjmë përpara idetë, projektet tona, çdo ditë, duke mos humbur kohë, mos t’i lëmë për nesër”, ka shkruar Tahiri.

“Viti 2021, duhet të shënohet si vit i kthesës historike në sferën ekonomike dhe në shërbimet për qytetarët. Kosova ka nevojë për një seri projektesh dhe investimesh të cilat janë burim i zhvillimit të qëndrueshëm. Andaj, në politikat tona duhet t’i fusim forcat e besimit dhe të ëndrrave për ndryshim, që Kosova të bëhet vendi më i mirë për ju, për fëmijët e mi dhe fëmijët tuaj”, theksoi ai.