19:55 / E Martë, 18 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Tajvani “vret” rrjetin 3G

Përdoruesit e telefonisë celulare në Tajvan do të kalojnë krejtësisht në rrjetin 4G që nga fillimi i vitit të ardhshëm, pasi qeveria e këtij vendi ka vendosur të heqë shërbimet 3G që do të jenë në dispozicion deri më 31 dhjetor 2018.

Megjithëse numri më i madh i përdoruesve të telefonisë celulare në Tajvan tashmë kanë migruar në rrjetin 4G, ka ende rreth 200,000 përdorues të rrjetit 3G të cilët së shpejti do të mbeten pa sinjal.

Ky është vetëm një vazhdim logjik i vendimit të mëparshëm të Qeverisë së Tajvanit, e cila largoi rrjetin 2G më 1 korrik 2017 dhe është pjesë e një përpjekjeje për të “detyruar” operatorët që të punojnë në mënyrë aktive në mbulimin 4G.

Në mars të këtij viti, numri i përdoruesve të rrjetit 4G tejkaloi popullsinë e përgjithshme të Tajvanit, dhe në vetëm një vit, nga nëntori 2017 deri në nëntor 2018, numri i përdoruesve të rrjetit 3G ra nga 5.5 milionë në 228.000.

Edhe pse rrjetet 3G në Tajvan do të mbyllen në më pak se dy javë, rregullatorët lokalë besojnë se rreth 100,000 njerëz nuk do të mund të kalojnë në rrjetin LTE deri në atë kohë, kryesisht për shkak të numrit të madh të pajisjeve të vjetruara.