10:08 / E Premte, 05 Mars 2021 / OSH

Takohen katër njerëzit kryesorë që menaxhojnë pandeminë, paralajmërohet shpërthimi i valës së re të Covidit në Kosovë

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, në mëngjesin e së premtes ka mbajtur një takim me ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj, drejtorin e IKSHPK-së Naser Ramadani dhe me drejtorin e SHSKUK-së Valbon Krasniqi ku biseduan për situatën epidemiologjike kundër COVIDIT-19, shkruan IndeksOnline.

Hoti kërkoi mirëmbajtjen e masave në fuqi dhe respektimin e plotë të tyre pasi vendi gjendet para një vale të re të shpërthimit të koronavirusit.

Ai shtoi se gjatë këtij muaji pritet të arrijë kontingjenti i parë prej 33 mijë dozave të vaksinës “COVAX”. Nga ky mekanizëm Kosova do të përfitojë 100 mijë e 800 doza të vaksinës antiCovid-19.

“Pasi që vendi gjendet para një vale të re të shpërthimit të pandemisë Covid-19, kërkuam mirëmbajtjen e masave në fuqi dhe respektimin e plotë të tyre. Ndërkohë që, institucionet shëndetësore janë duke punuar intensivisht për rritjen e kapaciteteve, sigurimin e barnave dhe rritjen e numrit të personelit mjekësor.

Nga shtabet komunale, policia, AVUK-u dhe inspektoratet, kërkuam që të rrisin angazhimin për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19 dhe në të njëjtën kohë të bëjnë respektimin rigoroz të masave në fuqi.

Po ashtu, nga të gjithë qytetarët  kërkuam që të respektojnë distancën fizike, të përdorin  maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

Sa i përket furnizimit me vaksina, gjatë këtij muaji pritet të arrijë kontingjenti i parë prej 33 mijë dozave të vaksinës “COVAX”. Nga ky mekanizëm Kosova do të përfitojë 100 mijë e 800 doza të vaksinës antiCovid-19, ndërkohë që janë duke u zhvilluar negociata intensive edhe me prodhues të tjerë për të siguruar numrin e nevojshëm të vaksinave me qëllim të imunizimit të  plotë të popullsisë”, shkroi ai./IndeksOnline/