09:22 / E Martë, 27 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Taksa 100%, japin dorëheqje katër kryetarët e komunave veriore?

Kanë dhënë dorëheqje katër kryetarët e komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin-Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

KosovaPress ka mësuar se kjo vjen pas tensioneve të shtuara së fundi lidhur me taksën 100% të vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Kujtojmë se serbët gjatë ditës së sotme do të mbajnë përsëri protestë për të kundërshtuar këtë taksë, e cila u kritikua edhe nga Bashkimi Evropian dhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

Ndryshe, krerët e Listës Serbe kanë vendosur që sot ta mbajnë një protestë, siç kanë thënë ata, “të madhe” të serbëve në veri të Mitrovicës për shkak të taksës prej 100 për qind që e ka vendosur Qeveria e Kosovës në produktet e Serbisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës.

I ashtuquajturi “Shtab i Krizës” i katër komunave veriore të Kosovës është mbledhur (dje) dhe ka diskutuar për gjendjen aktuale pas vendosjes së masave të Prishtinës në produktet serbe dhe ka konstatuar se artikujt jetësorë kryesorë janë duke u harxhuar, duke veçuar miellin dhe barnat. Mbledhjen e Shtabit të Krizës e ka kryesuar Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe dhe i komunës veriore të Mitrovicës, ndërsa është vendosur për protestën, siç u tha, “e madhe”, e cila do të mbahet të martën në mesditë në veri të Mitrovicës.