09:56 / E Enjte, 28 Maj 2020 / indeksADMonline

Tani edhe Turqia: Shtetet që njohin patentat shqiptare

Qeveria miratoi të mërkurën një marrëveshje dypalëshe me qeverinë turke për njohjen e ndërsjelltë të lejeve të drejtimit të automjeteve. Sipas Agjencisë Telegrafike Shqiptare, kjo marrëveshje do t’u mundësojë shtetasve shqiptarë që të udhëtojnë drejt Turqisë pa qenë nevoja që të pajisen me leje drejtimi ndërkombëtare dhe anasjelltas.

Shtetet e tjera që njohin patentat shqiptare, referuar komunikimit në Facebook një vit më parë të ministrit të Punëve të Jashtme, Gent Cakaj, janë:

Belgjika: shtetasit shqiptarë në Belgjikë, për një periudhë më pak se 3 muaj, mund të përdorin lejen shqiptare për drejtim automjeti. Në rast qëndrimi më gjatë në Belgjikë se periudha në fjalë, atëherë shtetasit shqiptarë duhet të bëjnë konvertimin e lejes së drejtimit shqiptare në leje drejtimi belge, sipas procedurave që ndiqen në komunat përkatëse.

Kroacia: shtetasit shqiptarë në Kroaci mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015 e tutje.

Maqedonia e Veriut: shtetasit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2013 e tutje.

Serbia: shtetasit shqiptarë në Serbi mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015 e tutje.

Mali i Zi: shtetasit shqiptarë në Mal të Zi mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015 e tutje.

Kosovë: shtetasit shqiptarë në Kosovë mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2012 e tutje. Pas përfundimit të afatit, marrëveshja është rinovuar dhe ka hyrë fuqi në maj 2019.

Po kështu në janar të këtij viti, Greqia njohu gjithashtu patentat shqiptare, pas miratimit të Parlamentit grek. Pas marrëveshjes, të gjithë qytetarët që banojnë në Greqi/Shqipëri do të marrin një patentë të vendit tjetër, pa pasur nevojë për provim teorik dhe praktik, ndërkohë që qytetarët që udhëtojnë drejt Greqisë nuk do të kenë nevojë të pajisen me patentë ndërkombëtare.

Vjet në shtator, u miratua vendimi që të gjithë qytetarët shqiptarë, që disponojnë një leje drejtimi të lëshuar pas vitit 2017, mund të lëvizin në Itali për një vit.