13:19 / E Enjte, 08 Qershor 2023 / MSH

Të bllokuar për katër orë në Gropat e Junikut, rrëfimi ekskluziv i personit që shpëtoi turistët gjermanë

Mbrëmë rreth orës 19:00, ekipi i Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka marrë telefonatën se një çift gjerman ka mbetur i bllokuar në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri.

Çifti gjerman po kalonte nga Gropat e Erenikut për në stanet e Dobërdolit, por që për shkak të kushteve të rënda atmosferike dhe sasisë së borës, kanë mbetur të bllokuar për gati katër orë afër majës së Gjeravicës.

Leonard Llolluni, një qytetar nga Juniku se si ka arritur deri të çifti gjerman, të cilin edhe e ka tërhequr në mënyrë të sigurtë dhe fatmirësisht pa pësuar asnjë lëndim trupor.

Ai pohon se të dy kishin shkuar në një terren jo fort të përshtatshëm për alpinizëm, sidomos në pjesën ku kanë qenë të bllokuar, por që falë qëndrimit të tyre dhe moslëvizjes, i kanë shpëtuar fatalitetit.

“Unë në ora 19:40 kam qenë ende në punë kur e kam pranuar telefonatë nga një qytetar që më ka njoftu për grupin që ka ngecë pas majës së Gjeravicës. Kam ardhë shpejt në shtëpi, i kam marrë pajisjet bjeshkatarake dhe jam nisë drejt Junikut. Aty ka pasë edhe qytetarë të mobilizuar që donin me ndihmu. Lokacionin e kemi marrë përmes një mesazhi në Whatsapp. Për një orë kemi shku deri në Gropë të Junikut. Prej aty kam vazhdu në këmbë në një shteg dhe për diku dyzetë minuta kam mbërritur te grupi i gjermanëve, pasi ka qenë fillimisht mjegull dhe terr. E mora një llampë në kokë dhe një të madhe në dorë për me dhanë sinjal. Fatmirësisht ata e kanë parë sinjalin tim” ka thënë Llolluni.

Ai ka shpjeguar edhe rëndësinë e faktit që gjermanët nuk kanë shkuar më tej, pasi përreth pikës ku kishin ndaluar ka pasur terren të papërshtatshëm dhe shumë të rrezikshëm.

“Kam mbërri te Qafa e Gusanit, aty ku kishin ngelur. Kanë tentu me u ngjitë përpjetë në borë dhe kanë mbërritë në një pjesë ku nuk kanë mundur as të kthehen e as të vazhdojnë më tutje. Fatmirësisht që janë ndalë aty, se po të vazhdonin do të kishin fatkeqësi. Ata janë ndalë aty dhe kanë pritë katër orë. Unë kam shku, i kam gjetë. Kanë qenë shëndosh e mirë. Kur më panë u gëzuan dhe qajtën. I kam marrë qantat e tyre të rënda dhe iu kam ndihmu me zbritë poshtë, pasi qëndrimi i tyre për katër orë në të ftohtë ka bërë që të kenë vështirësi. Janë ngrohë duke ecë dhe kemi vazhdu deri në Gropë të Junikut ku na kanë pritë kolegët” ka thënë Llolluni.

Te Gropa e Junikut janë pritur nga Policia Kufitare si dhe qytetarë të shumtë dhe ShKShMK.

“Në tri terrene shumë të rrezikshme që ata është dashtë më kalu kur të kthehen, apo dhe me vazhdu, që fatmirësisht nuk e kanë bë, ka terrene shumë të rëndësishme se ka shumë borë. Kur kam shku të pjesa ku janë ndalë i kam pa se janë future te një gur i madh. E tërë pjesa ka qenë e mbuluar me borë. 10 metra më poshtë ka qenë një pjesë e rrezikshme që kanë mujtë me rrëshitë edhe me u përplasë në shkëmbinj poshtë. Mandej është edhe një pjesë tjetër të Liqeni i Gjeravicës, ne i thojmë Shkallët e Liqenit, edhe aty kanë mujtë me rrëshitë, me ra poshtë e edhe me e humbë jetën. Është një pjesë nga Liqeni i Vogël, që i kam parë hapat ku ata kanë kalu, është tmerrësisht rrugë e gabuar” ka përshkruar Llolluni.

Sipas tij, ndonëse të dy kanë qenë alpinistë me përvojë, por që terreni i papërshkrueshëm i ka rrezikuar.

Llolluni u bën thirrje të gjithë qytetarëve që dëshirojnë të vizitojnë Bjeshkët e Junikut, që së pari të lajmërojnë autoritetet për ekspeditën e tyre dhe të kenë kujdes të shtuar, sidomos tani që ka mjegull dhe bora nuk është shkrirë akoma./Indeksonline/