16:40 / E Hënë, 06 Korrik 2020 / indeksADMonline

Të enjten seancë, Osmani kritikon qeverinë që s’e ka dërguar në Kuvend ligjin për luftimin e Covid-19

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka mbajtur mbledhje në formë elektronike ku ka vendosur që të enjten t’i vazhdojë punimet e dy seancave të papërfunduara, më 11 dhe 23 qershor 2020, si dhe më pas të mblidhet në seancë të re, transmeton IndeksOnline.

Aty pritet të miratohen marrëveshjet ndërkombëtare e të cilat herën e kaluar nuk patën kourumin e mjaftueshëm për tu votuar.

Në orën 10:30, ndërkaq, do të hidhet në votim Propozim-rezoluta nga raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe debati parlamentar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Tutje kryetarja e Kuvendit siç njofton zyra për informimin e Kuvendit, ka shprehur shqetësimin për faktin se Qeveria ende nuk e ka dërguar opinionin për nismën e Kuvendit për Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, gjë që do të mundësonte trajtimin e ligjit në seancë.

“Ajo theksoi se situata emergjente kërkon veprime të shpejta e jo bllokim për gati një muaj të këtij ligji, ndaj paralajmëroi që nëse Qeveria nuk e sjellë opinion deri të enjten, ajo në seancë do të propozoje shmangie nga rregullorja në mënyrë që të procedohet ky ligj urgjentisht”, thekson komunikata.