22:49 / E Mërkurë, 02 Mars 2022 / AR

Të formohet urgjentisht Këshilli Kombëtar i Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës!

Shkruan Hyzri Salihu

Për Republikën e Shqipërisë dhe të Kosovës, ndihet nevoja e domosdoshme për një filozofi pragmatiste të veprimit në kushte të reja, e cila duhet të imponojë rregulla të reja bashkëpunimi dhe ndërveprimi brenda doktrinës ushtarake të NATO, përballë rreziqeve dhe kërcënimeve, administrimit të fuqisë kombëtare duke përfaqësuar qoftë dhe formalisht shtetin-komb. Ka arsye madhore për t‘u sjellë politikisht si të tillë.

Kombi shqiptar historikisht i ndodhur  në “vijën e zjarrit“, u bë forca e qëndresës kundër invazionit sllav ortodoks drejt Adriatikut, Mesdheut, Maltës dhe Gjibraltarit. Situata mbart brenda saj lidhjet historike nën pushtimin romak, osman, dy luftrat botërore dhe “luftën e ftohtë“.

Në këto kushte, me vizionin e ri të zhvillimit kombëtar politika shqiptare duhet të orientohet dhe të dominohet nga patriotizmi.

Organizimi kombëtar duhet t’i drejtohet një modeli të ri të përfaqësimit, ndryshe nga më parë, duke pranuar rolin dhe misionin e Strategjisë Kombëtare dhe të Kuvendit Kombëtar, të programeve shtetërore për mbrojtjen e interesave kombëtare, mbështetur në vullnetin e shqiptarëve kudo në botë, në burimet e pashtershme të popullit brenda dhe jashtë trojeve etnike.