13:34 / E Mërkurë, 11 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Të strehuarit e tërmetit “ikin” nga Prizreni, kthehen në Shqipëri

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një shkrimi në Facebook, ka njoftuar se të strehuarit e tërmetit tragjik në Shqipëri, të cilët për 4 javë qëndruan në Parkun Inovativ të Priznrenit, tashmë janë kthyer në vendlindjen e tyre.

Haradinaj është shprehur se Qeveria e Kosovës është çdo herë e gatshme t’i dalë në ndihmë Shqipërisë, sa herë që është nevoja.

Postimi i plotë

Të dashur qytetarë,

Edhe njëherë ju falenderoj secilit nga Ju, për çdo kontribut dhe angazhim që dhatë, për t’u dalë në ndihmë bashkëkombësve tanë nga Shqipëria, pas tërmetit me pasoja tragjike qe goditi këtë vend.

Sot nga Parku Inovativ Trajnues Kosovaro-Gjerman, u rikthyen për në vendlindje edhe personat e fundit që ishin strehuar dhe ditë më parë u rikthyen edhe të strehuarit në Shkollën e Mesme “Gjon Buzuku” në Prizren.
Kësisoj u përmbyllë edhe kjo etapë e akomodimit dhe strehimit, në objektet publike.

Puna në Parkun Inovativ Trajnues do të vazhdoj, në misionin që ka, zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Çdo ditë kemi raporte nga Institucionet tona për rikthim të atyre që qëndruan në shtëpi private dhe objekte hoteliere në vend.

Edhe njëherë falenderoj Institucionet tona, të gjitha pa dallim, që u angazhuan pandalë për të ndihmuar në çdo nevojë operacionet e kërkim-shpëtimit, dhënien e ndihmave dhe strehimit. Falenderoj, Institucionet e Shqipërisë për bashkëpunimin, vullnetarët e shumë, shoqatat humanitare, organizatat joqeveritare, autoritetet Komunale, Ambasadën Gjermane në Prishtinë, GIZ-i dhe çdo vullnetmirë, që hapën dyert dhe zemrat e tyre në gjithë këtë mision.

Ne do vazhdojmë të jemi të gatshëm, për çdo ndihmë dhe angazhim të nevojshëm, që Qeveria e Shqipërisë mund ta ketë.  /IndeksOnline/