14:57 / E Hënë, 14 Maj 2018 / indeksADMonline

Të vrarë e të plagosur në Gaza, në prag të hapjes së ambasadës amerikane në Jerusalem

Ministria e Shëndetësisë në Gaza, tha se ka arritur në 25 numri i palestinezëve të vrarëve nga forcat izraelite, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara përgatiteshin të zhvendosnin zyrtarisht ambasadën e tyre nga Tel Avivi në Jerusalem.

Zyrtarët thanë se të paktën 500 veta janë plagosur. Ngjarjet e së hënës e çojnë në mbi 50 numrin e të vrarëve gjatë protestave gjashtëjavëshe.

Kritikët fajësuan forcat izraelite për përdorimin e municioneve, ndërsa Izraeli tha se veprimet e tij ishin të domosdoshme për shkaqe sigurie, meqë protestuesit rrezikuan kufirin.

Forcat izraelite të sigurisë hodhën edhe gaz lotsjellës mbi protestuesit, por turmat dukeshin të palëkundura dhe vazhduan të mblidhen.

Protestuesit hodhën edhe objekte të ndryshme përtej kufirit dhe dogjën goma para hapjes së ambasadës më vonë gjatë ditës. Shumë biznese dhe shkolla në Gaza u mbyllën.

Përveç refuzimit të lëvizjes së ambasadës amerikane, palestinezët po protestojnë edhe për të përkujtuar përvjetorin që ata e quajnë “nakba” apo “katastrofa”, duke ju referuar qindra mijëra palestinezëve që u dëbuan apo ikën përgjatë luftimeve të vitit 1948 gjatë krijimit të Izraelit.

Shtetet e Bashkuara zhvendosën sot zyrtarisht ambasadën e tyre nga Tel Avivi në Jeruzalem, një hap që kundërshtohet ashpër nga palestinezët dhe nga një pjesë e madhe e bashkësisë ndërkombëtare.

Ambasada e përkohshme do të funksionojë brenda ndërtesës së konsullatës ekzistuese amerikane në Jerusalem, derisa të gjendet një objekt më i madh.

“Shumë presidentë kishin nënshkruar një dokument për të mos e zhvendosur ambasadën për arsye të sigurisë kombëtare. Presidenti Trump po e lëviz ambasadën, sepse është një përparësi e sigurisë kombëtare që ambasada të jetë këtu në Jeruzalem. Ka edhe një arsye tjetër për lëvizjen e ambasadës. Siç e dinë disa prej jush, presidenti ka qenë një zhvillues pasurish të paluajtshme dhe ai e donte pasurinë e patundshme të ambasadës këtu në Jerusalem në anën e djathtë të qytetit”, tha Steven Mnuchin, sekretari amerikan i Thesarit.

Vendosja e ambasadës amerikane në Jeruzalem është miratuar me votim dypartiak në Kongresin amerikan që në vitin 1995. Deri tani, të gjithë presidentët e mëparshëm amerikanë patën nënshkruar çdo gjashtë muaj një shtyrje të zbatimit të këtij vendimi, për arsye sigurie.