12:54 / E Shtunë, 04 Korrik 2020 / indeksADMonline

Telefonata e çuditshme dhe çmenduria në autobus, si kaloi Essien te Reali

Monaco, 2012, luhej Superkupa e Europës, mes Chelsea dhe Atletico Madrid. Michael Essien ishte pjesë e klubit anglez dhe në Spanjë e kërkoi Real Madrid, madje vetë trajneri Jose Mourinho e telefonoi atë. Mesfushori zbulon ngjarjen e çuditshme që i kishte ndodhur para transferimit.

“Më telefonoi një numër i panjohur dhe nuk u përgjigja. Kushëriri im, i cili ishte në dhomë me mua atë ditë, më tha që ta telefonoja. I njëjti numër vazhdonte të më merrte dhe vendosa ta hapja. Sapo përshëndeta, një përshëndetje m’u kthye dhe e kuptova kush ishte në teelfon. I thashë kushëririt tim që ishte Jose Mourinho.

Duhej ndryshuar i gjithë plani, pasi ishim gati të dilnim nga hoteli dhe të zbarkonim në stadium, për të luajtur me Atletico Madrid. Reali po negocionte me agjentin tim dhe unë isha në autobus. Agjenti më tha se duhet të dërgoja me faks disa letra dhe m’u desh të bërtisja si i çmendur që shoferi të ndalonte.

Të gjithë shokët e skuadrës po më shikonin sikur donin të thoshin: ‘Michael, çfarë po ndodh’. Disa prej shokëve të skuadrës kishin lexuar lajmet se unë do të shkoja në Madrid. Duhet të përshëndetesha me ta. Pas ceremonisë së mediave u kthyem në dhomat e zhveshjes dhe e bëra diçka të tillë.

Mora vetëm këpucët dhe parakalcot, i përshëndeta të gjithë, përfshirë edhe Abramovich. Ai më uroi fat. Ditën tjetër shkova në Madrid dhe në aeroport më priste Mourinho. Pas testeve mjekësore dola direkt në stërvitje”, tregon Essien.