10:28 / E Martë, 27 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Temperaturat e ulëta rrisin numrin e pacientëve në QKUK

Temperaturat e ulëta , të cilët po mbretërojnë mbi vendin tonë, pashmangshëm se ndikojnë edhe në shëndetin e qytetarëve. Bestari Lenjani, drejtor i Klinikës Emergjente në QKUK tha në programin e mëngjesit në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) se temperaturat e ulëta kanë rritur edhe numrin e pacientëve, të cilët po kërkojnë ndihmë në QKUK. Sipas tij, më të prekurit janë fëmijët dhe të prekurit nga diabeti.

Lenjani tha se edhe personat e moshuar që vuajnë nga sëmundjet kronike janë më të rrezikuar nga temperaturat e ulëta , e sidomos sugjeroi që në orët e hershme të mëngjesit kur i ftohti është më i madh, i rekomandoi që mos të dalin jashtë dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje.

Sëmundjet kronike të mushkërive dhe të rrugëve të frymëmarrjes hasen më tepër në stinën e dimrit, ku edhe temperaturat janë të ulëta. Për këtë arsye, gjendja shëndetësore e personave që vuajnë nga sëmundje kronike të mushkërive në dimër mund të përkeqësohet. Sipas mjekëve, personat që vuajnë nga sëmundje kronike të mushkërive, nëse nuk tregohen të kujdesshëm, nuk mund të kalojnë një dimër pa probleme

Vjeshta dhe dimri janë stinët kur shumë njerëz fillojnë të marrin masat mbrojtëse. Ulja e temperaturave shton mundësitë për t’u prekur nga infeksionet bakteriale dhe virale.

“Të mbrohesh” në këtë rast do të thotë ta mbash organizmin dhe sistemin imunitar sa më eficent. Stresi ndikon në uljen e mbrojtjes së organizmit. Një nga faktorët që më shumë se të tjerët ul mbrojtjen e organizmit është stresi, ku bën pjesë si ai fizik, ashtu edhe ai emocional. Shumë njerëz as që e mendojnë se edhe një stërvitje e sforcuar mund të provokojë stres në organizëm dhe të ulë sistemin imunitar.

Aktiviteti sportiv mund të përmirësojë qarkullim e gjakut, t’i japë më shumë oksigjen organizmit dhe të shkarkojë stresin emotiv. Sigurisht, edhe një ushqyerje jo e mirë dhe e pashëndetshme mund të dobësojë funksionin e sistemit imunitar.

Është shumë e rëndësishme të dihet se ushqyerja e shëndetshme duhet të përshtatet me stilin e jetesës, me llojin e punës që bëjmë, moshën dhe sezonin. Dihet që nevojat ushqimore janë të ndryshme në periudha të ndryshme të jetës, ashtu siç janë të ndryshme në stinë të ndryshme. Megjithatë, rregulli i përbashkët është: shumë fruta, perime jeshile dhe ushqime të freskëta.