23:56 / E Premte, 01 Dhjetor 2023 / Gj. Sh

Ten Hag i del në mbrojtje Onanas: Është i dyti më i mirë në Premier League

Manchester United do të përballet me Newcastle këtë të shtunë, në kuadër të javës së 14-të të Premier League-s. Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri Erik ten Hag u “bombardua” me pyetje rreth Onanës, i cili ka qenë nën një breshëri kritikash që nga fillimi i sezonit. Ish-portieri i Interit ka pësuar 33 gola në 20 ndeshje në sezonin aktual.

Në barazimin me Galatasaray-n, në raundin e parafundit të fazës së grupeve të Championsit, Onana ishte përgjegjës për dy nga tre golat e shënuar nga skuadra turke.

Onana gjithashtu bëri gabime në humbjen 4-3 ndaj Bayernit në fillim të fazës së grupeve, por Ten Hag hodhi poshtë çdo zërat që drejtuesit e “Djajve të Kuq” janë penduar që shpenzuan rreth 54.6 milionë euro për këtë portier.

“Nëse e analizojmë, shohim se ai është portieri i dytë më i mirë në Premier League bazuar në statistika. Vlerësimi për golat e shmangur është i dyti më i mirë në Premier League”, tha trajneri i Djajve të Kuq. “Ai po bën mirë. Ai e di se në Champions bëri disa gabime, por në përgjithësi, është paraqitur mirë në pesë muajt e parë”.

Në lidhje me ndeshjen kundër Newcastle, Erik ten Hag tha se ka “shumë respekt” për ekipin kundërshtar, duke thënë se ata janë “të vështirë për t’u përballur, por është një sfidë e mirë”, dhe se i pëlqen të luajë kundër tyre.”

Holandezi ka një paralajmërim për lojtarët e tij: “Duhet të ngrihemi në këmbë dhe të bëjmë më të mirën kundër tyre, sepse mënyra e tyre e lojës është shumë e organizuar”.