19:47 / E Mërkurë, 12 Shtator 2018 / indeksADMonline

Tërmkolli: Vjosa Osmani është e Sorosit, kjo është gjë shumë e keqe (VIDEO)

Zyrtarja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, i ka akuzuar kolegët e saj të partisë për përfshirjen në atë që ajo e ka quajtur koncept sorosian.

“Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, Korab Sejdiu dhe Abelard Tahiri janë pjesë e konceptit sorosian, pra kjo katërshe”.

“Për herë të parë po ndodh në LDK që dikush të jetë pjesë e koncepteve sorosiane. Kjo është absolutisht keq”, tha ajo si e ftuar në emisionin Info Magazine në Klan Kosova.

“Ne e dimë rolin i Sorosit në krejt Evropën. Ai me vite të tëra është thjesht një sponsorizues i Edi Ramës, që është një e majtë ekstreme, është sponsorizues i Presidentit Thaçi, i krejt të majtës evropiane, të asaj të majte e cila në fakt jo vetëm të majtës por njëlloj anarkie edhe brenda shteteve të caktuara, dhe përkthyer në interesin e Kosovës do të thotë kundër interesave nacionale të shqiptarëve të Kosovës dhe kundër interesit nacional të Kosovës”.

“E dinë që të gjithë, madje edhe në vendin e tij të lindjes se ai është përjashtuar nga aty për shkak të përpjekjeve të tij. Është trashëgimia e cila po vazhdon, jo me babanë por me djalin”.

“Me aq sa jam në LDK, boll ka pas përpjekje edhe më herët me i fut në këto kthetra edhe njerëz të afërt të Presidentit Rugova edhe vet Presidentin, etj, etj, mirëpo ne i kemi pasur qëndrimet tona shumë-shumë larg konceptit sorosian, absolutisht, diametralisht kundër konceptit sorosian të bërjes së shtetit dhe të mbajtjes së shtetit”.

“Prandaj po them duke e ditur që Sorosi është një nga sponzorët po ashtu të presidentit Thaçi, këto dy përplasje janë vetëm dy anë të së njëjtës medalje, sepse që të dyja çojnë ujë njësoj në mullirin e konceptit të Presidentit Thaçi për atë që po e quan korrigjim të kufijve, e që ai për vete po e di, por për opinionin nuk e ka shpjeguar. Për opinionin ai ka krijuar një mjegullnajë tepër të dëmshme, herë korrigjim, herë jo po e marrim Luginën, jo herë po na bashkohet, here jo”, përfundoi Tërmkolli.