13:02 / E Martë, 28 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Thaçi: Asnjëherë më parë shqiptarët nuk kanë qenë në pozicion më të mirë se sot

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur sot me rastin e festës së pavarësisë së Shqipërisë.

Me këtë rast, Thaçi nga Vlora ka theksuar se ‘Dita e Flamurit’ është festa e krenarisë sonë kombëtare me traditën më të gjatë të kremtimit.

“Është festë e rimëkëmbjes së dinjitetit dhe forcimit të ndërgjegjes sonë kombëtare. Kjo ditë shënon momentin e ndarjes nga robëria e gjatë. Sot Shqipëria kremton një shekull të plotë dhe gjysmë dekade si shtet i pavarur, i lirë dhe Sovran. Me respektin dhe konsideratë të lartë. U jemi mirënjohës sot dhe përgjithmonë të gjithë atyre që patën fatin t’i kurorëzojnë përpjekjet shekullore për pavarësinë e Shqipërisë. Ismail Qemaili, Isa Boletini, Hasan Prishtina e dhjetëra delegatë të tjerë të devotshëm”, ka thënë Thaçi, shkruan Indeksonline.

Ai gjithashtu ka shtuar se përvjetori i 105-të i pavarësisë së Shqipërisë përkon me 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

“Kosova u çlirua pas përpjekjeve të pareshtura  nga lufta e drejtë e UÇK-së, e cila gjeti mbështetje nga SHBA, BE dhe NATO. Pa Shqipërinë, as Kosova nuk do të ishte e lirë e pavarur dhe Sovran. Asnjëherë më parë shqiptarët nuk kanë qenë në pozicion më të mirë se sot. Shqipëria është pjesë e NATO-s, Kosova në rrugëtimin e sigurt për t’u integruar në BE dhe NATO. Jemi të dy shtete sovrane me qëllimin e plotë në një drejtim. Qeveritë tona dje mbajtën mbledhjen e katërt me radhë në Korçë, e sot festojmë së bashku në Vlorë”, ka shtuar Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se Vlora ka bashkuar shqiptarët e të gjitha trojeve, derisa për Kosovën emri i qytetit të Vlorës del përtej kuptimit historik.

“Emrin e Vlorës, por edhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë, prindërit në Kosovë ua vënin vajzave si shenjë e identitetit kombëtar dhe dashurisë ndaj atdheut amë”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova, sot e përgjithmonë do të ushqejë dhe kultivojë dashurinë ndaj Shqipërisë, përmes rrugës institucionale, integrimeve kulturore, lirisë së lëvizjes dhe thellimit të bashkëpunimit.

“Të dy shtete japin mesazhe se jemi në prosperitet të përbashkët me rajonin. Urime Dita e Flamurit, urime Dita e Pavarësisë”, ka përfunduar presidenti Thaçi./Indeksonline/