13:40 / E Enjte, 28 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Thaçi: Deputetët vendosin për Specialen, nisma e tyre ishte ligjore

Nesër bëhen një javë që kur disa deputetë të Kuvendit të Kosovës i mblodhën nënshkrimet për të kërkuar seancë të jashtëzakonshme për  shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Prej asaj kohe mediat janë mbushur me lajme sa i përket kësaj teme.

Kishte reagime nga më të ndryshmet si nga vendoret ashtu edhe nga ndërkombëtarët.

I përfolur për këtë temë ka qenë edhe Presidenti i vendit Hashim Thaçi. Ai në një intervistë për Indeksonline ka thënë se iniciativa e rreth 50 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ishte një alternativë, por assesi nuk ishte ikje nga drejtësia.

“Kjo duhet të jetë e qartë. Unë e kam lexuar draft-kërkesën e deputetëve. Nuk është një kërkesë që e sfidon drejtësinë apo që e rrezikon atë, por është alternativë që mundëson trajtimin e të gjitha krimeve të luftës në Kosovë. Kështu ka ndodhur me të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë, si në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi. Deputetët janë të zgjedhurit e popullit dhe iniciativa e tyre është kushtetuese, ligjore dhe e rregullt proceduralisht. Nisma të tilla kemi pasur edhe në të kaluarën”, ka deklaruar për Indeksonline, Presidenti Thaçi.

Prandaj, çdo vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Presidenti ka thënë se do ta respektoi, do ta kryej obligimin dhe do ta nënshkruaj.

“Unë qysh në vitin 2015, e kam vlerësuar padrejtësi historike krijimin e Gjykatës Speciale. Sikurse të ishte një iniciativë kundër drejtësisë, i pari do të isha kundër”, është përgjigjur Thaçi lidhur me kritikat e ashpra të partnerëve strategjik të Kosovës si dhe nismën në fjalë. Intervista e plotë me Presidentin Thaçi do të publikohet me 1 janar./Indeksonline/