17:31 / E Enjte, 13 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Thaçi: FSK-ja do t’i shërbejë të gjithë qytetarëve, pa dallime etnike

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka inspektuar ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ka mbajtur një fjalim para tyre, vetëm një ditë para se Kuvendi i Kosovës të marrë vendim për ndryshimin e mandatit të FSK-së.

Para rreth 400 ushtarëve dhe eprorëve të FSK-së, presidenti Thaçi ka thënë se vendimi për ndryshimin dhe avancimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke i dhënë FSK-së kompetencat e ushtrisë së mirëfilltë, është më së shumti meritë e ushtarëve dhe qytetarëve të Kosovës.

Presidenti Thaçi ka theksuar se pas sukseseve të mëdha dhe përfshirjen e çdo komuniteti në Forcën e Sigurisë të Kosovës, FSK është e gatshme për mision dhe rol të ri.

Kreu i shtetit ka thënë se FSK-ja është shembull sesi duhet të jenë të integruara komunitetet në jetën shoqërore dhe institucionale të një shteti demokratik, ku çdo qytetar përbën vlerë të shtuar për shtetin.

“I siguroj të gjitha komunitetet në Kosovë, e veçanërisht komunitetin serb, se FSK-ja do të vazhdojë t’u shërbejë të gjithë qytetarëve, pa dallime etnike”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ky është fjalimi i plotë i Presidentit të Kosovës para ushtarëve të FSK-së:

Të nderuar pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,

Ushtarë dhe ushtarakë të Republikës së Kosovës,

Mirëdita!

Dobar dan!

Jam i nderuar që t’ju drejtohem në këtë kohë të festave të fundvitit, të cilat për juve si ushtarë të Republikës së Kosovës, për ne dhe për shtetin tonë, kësaj radhe, janë më të veçanta.

E di që ju ushtarë të nderuar, këto ditë po i përjetoni më ndryshe dhe me emocione të fuqishme.

Kjo është e kuptueshme, sepse kanë mbetur vetëm edhe disa orë deri tek momenti dhe vendimi i shumëpritur. Ky proces po rrjedh natyrshëm si rezultat punës dhe përkushtimit tuaj të jashtëzakonshëm.

Ju, me mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës, për kohë të gjatë keni punuar për themelimin e ushtrisë sonë.

Ushtria e jonë do të jetë gjithmonë e gatshme për t’i shërbyer kultivimit dhe forcimit të paqes në vend, rajon dhe botë.

Vendimi për ndryshimin dhe avancimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke i dhënë FSK-së kompetencat e ushtrisë së mirëfilltë, është më së shumti meritë e juaja.

Është meritë e çdo qytetari të Kosovës. Prandaj, sot çdo qytetar i vendit duhet të ndjehet krenar.

Sot jam në mesin tuaj, për t’ju falënderuar juve në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Jam sot këtu edhe për t’i uruar të gjithë qytetarët e Kosovës për ushtrinë tonë.

Kosovë, urime ushtria!

Të nderuar ushtarë,

Rrugëtimi juaj simbolizon ecjen dhe zhvillimin e shtetit tonë.

Kemi kaluar shumë sfida deri më sot, por ia kemi arritur qëllimit.

Sot, ju pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, me dinjitet e krenari po e përfaqësoni Kosovën kudo nëpër botë.

Rezultatet e juaja janë të shkëlqyera. Ju po arrini suksese në gara ndërkombëtare, përkrah ushtrive të vendeve më profesionale dhe më të fuqishme të botës.

Me punën tuaj, me sukseset tuaja, populli ynë krenohet çdo ditë.

Të nderuar ushtarë të Kosovës,

Nga ky muaj, ju, djemtë dhe vajzat më të mira të kombit tonë, do të keni mandat të ri, mision të ri, si Forcë e Sigurisë së Kosovës, respektivisht ju jeni ushtria e Kosovës.

Urime, Kosovë!

Do të shërbeni dhe do të mbroni me dinjitet e krenari pavarësinë dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, duke kontribuar edhe në ndërtimin dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe atij global.

Të nderuar ushtarë,

Zhvillimi i ushtrisë së Kosovës është i veçantë dhe i ndryshëm nga ushtritë e shumë shteteve të tjera.

Populli ynë e krijoi ushtrinë para se të fitojë lirinë, pavarësinë dhe shtetin.

Pas demilitarizimit, i krijuam Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

Pastaj, me ngritjen e nivelit të përgatitjes, u avancuam në Forcë të Sigurisë së Kosovës.

Ishte ky një proces me hapa të gjatë dhe të mundimshëm. Por, gjithmonë i orientuar drejt arritjes së një qëllimi të qartë, në dobi të të gjithë qytetarëve të vendit tonë.

Pesë vite më parë, gjatë procesit të rishikimit të sektorit të sigurisë, me të drejtë u arrit në përfundim se FSK-ja është e gatshme për rol dhe mision të ri.

Të nderuar ushtarë,

Me lejoni të them një fakt që gjithmonë e keni ditur.

Për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës, ju gjithmonë keni qenë de fakto, ushtarë dhe FSK–ja, ushtria e Kosovës.

Mirëpo, tani të gjitha forcat politike në vend janë unike, që të nxjerrët vendimi i merituar, që FSK-ja edhe me ligj të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, të transformohet në ushtri profesionale dhe shumetnike.

Kuvendi i Kosovës, në mënyrë solemne, do ta nxjerr vendimin për këtë proces.

Por sot, nesër dhe përgjithmonë, i tërë populli i Kosovës shikon kah ju.

Me respekt.

Me nderim.

Me krenari.

Dhe ju thotë faleminderit dhe urime për ushtrinë e Kosovës.

Të nderuar ushtarë,

Zonja dhe zotërinj, 

Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Forca e Sigurisë e Kosovës është zhvilluar në një forcë profesionale, e përgatitur sipas standardeve të NATO-s, me përbërje shumetnike dhe me përfaqësim meritor gjinor.

Përfshirja e çdo komuniteti në Forcën e Sigurisë të Kosovës e dërgon mesazhin më të mirë të mundshëm.

Tregon vlerat dhe parimet e shoqërisë sonë.

Tregon sesi duhet të jenë të integruara komunitetet në jetën shoqërore dhe institucionale të një shteti demokratik, ku çdo qytetar përbën vlerë të shtuar për shtetin.

Prandaj, i siguroj të gjitha komunitetet në Kosovë, e veçanërisht komunitetin serb, se FSK-ja do të vazhdojë t’u shërbejë të gjithë qytetarëve, pa dallime etnike.

FSK-ja është institucioni më i besuar për qytetarët e Kosovës. Prandaj, si President dhe Komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës, jam krenar për arritjet dhe sukseset tuaja. I jam mirënjohës secilit prej jush për kontributin e vazhdueshëm që keni dhënë, që të arrijmë deri këtu.

Njëkohësisht, ju inkurajoj dhe kërkoj nga ju që të vazhdoni të kontribuoni edhe në të ardhmen, që të jeni shembull sesi duhet të jetë një forcë profesionale në shërbim të vendit.

Zhvillimi, strukturimi dhe organizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, që prej fillimit është bazuar në praktikat më të mira të shteteve me demokraci të zhvilluara. Edhe procesi i tanishëm nëpër të cilin po kalon forca jonë me mandatin e ri, do të bazohet pikërisht mbi këto praktika.

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës është faktor kontribuues për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë dhe më gjerë.

Ne i sigurojmë të gjithë partnerët tanë strategjikë, NATO-n dhe të gjitha shtetet që dëshirojnë paqe të qëndrueshme në këtë pjese të botës, se Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë gjithmonë në shërbim dhe mbrojtje të të gjithë qytetarëve dhe pronës së tyre, pa asnjë dallim.

Dhe, si Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës, e them me bindje të plotë se kjo forcë është dhe do të mbetet krenaria jonë!

Ushtarë të Republikës së Kosovës, urime detyrat e reja. Kryeni me nder dhe përgjegjësi.

Urime!

Faleminderit!

Hvala!