23:25 / E Shtunë, 30 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Thaçi: Javën e dytë të janarit përmbyllet çështja e demarkacionit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë një afat se kur do të përmbyllet çështja e marrëveshjes për caktimin e kufirit me Malin e Zi.

Ai në një intervistë për RTK2 ka thënë se në fillim të 2018-tës do të ketë të reja për demarkacionin, transmeton Indeksonline.

“Shpresoj se në javën e dytë të janarit do të mbyllet kjo çështje dhe Kosova do ta ketë të drejtën e liberalizimit të vizave, siç është edhe parakusht nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Thaçi.

Ai po ashtu i është kundërpërgjigjur edhe  ministrit të jashtëm serb, Ivica Dacic i cili paralajmëroi se do të pengoj anëtarësimin e Kosovës në shumë organizata.

“Unë nuk dua të merrem me ministrin serb. Kosova do të bëhet pjesë e Kombeve të Bashkuara. Me procesin përfundimtar të dialogut mes Kosovës e Serbisë do të finalizohen disa marrëveshje të pranueshme nga të dyja palët, e që do të mirëpriten nga bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi.

Ai është shprehur i bindur se Kosova do të jetë anëtare me të drejta të plota në UNESCO e Interpol si dhe shumë shpejt edhe kandidat për anëtarësim në Këshillin Evropian. /Indeksonline/