14:55 / E Enjte, 23 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Thaçi: LDK dhe PDK po duan të na sjellin 97-ën e Shqipërisë

“LDK dhe PDK duhet ta dinë se mendësia saliberishiane ka sjellë 97-n në Shqipëri. Kosovës nuk i duhet diçka e tillë. Andaj, larg duart nga votat e vullnetshme të qytetarëve!”, është shprehur ish-drejtori i Arsimit në Prishtinë, Jusuf Thaçi.

Ai ka thënë se nëse kutitë me flet-votime nuk kanë qenë të vëzhguara vazhdimisht nga të gjitha palët, si komisionerët, partitë politike, vëzhguesit vendorë e ndërkombëtarë, atëherë rinumërimi është ndërmarrje e rrezikshme që e shtrembëron vullnetin e qytetarëve, përcjellë Indeksonline.

Thaçi i është referuar vitit 1997 në Shqipëri ku kishte ndodhur një rebelim pas dorëheqjes së Sali Berishës si president. Në mungesë të shtetit, vendi kishte rënë në duart e bandave kriminale. Ky vit është cilësuar si vit i shkatërrimit të ekonomisë, bankave, bizneseve e gjithçkaje tjetër, shkruan Indeksonline.

Lexoni komentin e plotë të Thaçit:

Nëse kutitë me fletë-votime të komunave ku do të bëhet rinumërimi i të gjitha votave nuk kanë qenë nën vëzhgim të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm nga të gjitha palët (partitë politike, komisionerët, vëzhguesit vendorë e ndërkombëtarë, etj.) gjatë këtyre ditëve, pra 100% të sigurta nga çfarëdo ndërhyrje, atëherë rinumërimi është një ndërmarrje e rrezikshme dhe mund ta shtrembërojë vullnetin e qytetarëve për shkak të ndërhyrjeve kriminale që potencialisht ose realisht mund të jenë bërë.

Nëse kjo ndodh, atëherë ajo gjysmë-demokraci që kemi në Kosovë zhduket e tëra përfundimisht.

LDK dhe PDK duhet ta dinë se mendësia saliberishiane ka sjellë 97-n në Shqipëri. Kosovës nuk i duhet diçka e tillë. Andaj, larg duart nga votat e vullnetshme të qytetarëve!
/Indeksonline/