13:37 / E Enjte, 03 Maj 2018 / indeksADMonline

Thaçi: Liria dhe pavarësia janë meritë edhe e gazetarëve

Presidenti Hashim Thaçi në ditën Botërore të Lirisë së Shtypit ka ftuar të gjithë gazetarët që të vazhdojnë punën profesionale, hulumtuese dhe të japin kontribut në forcimin e demokracisë dhe shtetit.

Thaçi përmes një postimi në Facebook, ka thënë edhe se Kosova ka shumë gazetarë me integritet.

“Gazetarët sot po e shënojnë në mënyra të ndryshme 3 Majin, Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Kosova fatmirësisht ka shumë gazetarë të mirë, me integritet të lartë dhe profesionistë të mirëfilltë, që në rrethana shumë të vështira e kanë mbajtur gjallë raportimin e drejtë dhe të paanshëm për qytetarët tanë. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë meritë edhe e shumë brezave të gazetarëve të Kosovës, që me guxim e përkushtim e raportuan të vërtetën për çdo proces nëpër të cilin kaloi vendi ynë”, ka shkruar ai.

3 Maji shënon Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, e cila në Kosovë u shënua edhe me një protestë nga Asociacioni i gazetarëve të Kosovës (AGK).