09:09 / E Hënë, 01 Tetor 2018 / indeksADMonline

Thaçi: Protesta e 1 Tetorit i dha dinamikë të re zhvillimeve politike në Kosovë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përkujtuar  21 vjetorin e demonstratës së 1 Tetorit 1997.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi tha se kjo ditë ishte kur studentët dhe të rinjtë e Kosovës nuk e duronin më dhunën dhe nëpërkëmbjen e përditshme të policisë serbe.

Kjo ngjarje sipas tij i dha dinamikë të re zhvillimeve politike në Kosovë.

Ky është postimi i tij:

Sot janë bërë 21 vjet, por ende i kemi të freskëta kujtimet nga demonstrata e 1 Tetorit 1997. Ishin ditë kur studentët dhe të rinjtë tanë nuk e duronin më dhunën dhe nëpërkëmbjen e përditshme të policisë serbe, si dhe shtypjen e çdo të drejte politike dhe kombëtare nga regjimi serb. Demonstrata paqësore e studentëve të Universitetit të Prishtinës, me mbështetje masive, i dha dinamikë të re zhvillimeve politike në Kosovë.

Shumë të rinj dhe të reja nga Universiteti i Prishtinës, më pas, iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Falë përpjekjeve të shumë gjeneratave, Kosova arriti objektivat e saj historike: çlirimin, lirinë dhe pavarësinë! HTH./Indeksonline/