14:32 / E Enjte, 30 Gusht 2018 / indeksADMonline

Thaçi koordinohet me amerikanët

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke u koordinuar çdo hap me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Derisa para dite Thaçi ka takuar dy ambasadorë amerikanë, atë në Prishtinë dhe Beograd, pasdite ai ka zhvilluar një bisedë telefonike me Ndihmës-Sekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell.

Në profilin e tij në facebook, Thaçi ka shkruar se me Ndihmës-Sekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell ka biseduar për proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova.

“Ndihmës-Sekretarin Mitchell e falënderova për qëndrimin e qartë të SHBA-së, për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të fazës së fundit të dialogut. Ne u pajtuam që t’i intensifikojmë përpjekjet për të arritur një marrëveshje, e cila njëherë e përgjithmonë do t’i mbyllë armiqësitë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar ai.

Thaçi ka thënë se një marrëveshje, e cila i hap rrugë njohjes reciproke dhe perspektivës së qartë të Kosovës për anëtarësim në NATO, BE, OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

“Ndihmës-Sekretari Mitchell u zotua se Kosova do ta ketë mbështetjen e palëkundur të SHBA-së në këtë proces. Përfshirja e SHBA-së dhe partnerëve tjerë strategjikë të Kosovës në fazën e fundit të dialogut, të lehtësuar nga BE-ja, është një garanci për suksesin e plotë dhe arritjen e një marrëveshjeje historike. Miqësia dhe besimi në SHBA-në do të jetë i përjetshëm”, ka shkruar Thaçi.