10:38 / E Hënë, 22 Korrik 2019 / indeksADMonline

Thaçi: Vendimi i GJND-së nëntë vite më parë vulosi përjetësisht të drejtën tonë për vetëvendosje

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një shkrimi të publikuar në faqen e tij zyrtare Facebook ka folur për rëndësinë e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtarë të Drejtësisë, ku nëntë vite më parë konfirmoi të drejtën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Thaçi këtë vendim e quan fitoren më të madhe ndërkombëtare, e cila sipas tij I hapi rrugën vendit tonë për anëtarim në NATO, BE dhe OKB.

Ky është postimi i tij i plotë:

U bënë nëntë vjet nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila konfirmoi të drejtën tonë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Kjo ishte fitorja më e madhe ndërkombëtare e Republikës së Kosovës, e cila i hapi rrugë forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe vulosi përjetësisht të drejtën tonë për vetëvendosje. Ky vendim ka trasuar rrugën për anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB.