12:30 / E Hënë, 26 Nëntor 2018

Themelet e shtetit të Kosovës u vendosën me demonstratën e vitit 1968

Me rastin e 50 vjetorit të demonstratave të vitit 1968 familjarë, organizatorë, ish të burgosur politik dhe përfaqësues së komunë së Ferizajt kanë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve të kombit të UKÇ-së në Ferizaj.

Nebi Jashari nga Shoqata e të Burgosurve Politikë dega në Ferizaj ka deklaruar se themelit e shtetit të Kosovës janë vendosur në atë demonstratë, dhe më pas u finalizuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Është një ngjarje që duhet të shënohet themelet e këtij shteti besojmë që janë vendosur atëherë dhe janë finalizuar me luftën e Ushtrisë Çlirimtare… Ka qenë një iluzion që në Jugosllavi ekziston një ‘Vllaznim Bashkim’, një barazi totale tek të gjithë, mirëpo ne ishim të vetëdijshëm që shqiptarët ishin të diskriminuar si në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe gjetiu në Jugosllavi. Ne atë iluzion i treguam botës që është prezent dhe duhet të luftojmë me të gjitha mjetet për barazinë e popullit shqiptar në ish Jugosllavi”, u shpreh ai.

Kurse, drejtoresha e Kulturës , Rinisë dhe Sportit në komunën e Ferizajt, Xhemile Murati Shabani u shpreh se përmes këtyre demonstratave u thanë kërkesat e para të shqiptarëve në ish Jugosllavi.

Demonstratat e vitit 1968 ajo i konsideron si moment kthesë për historinë e Kosovës.

“Aty ka pasur kërkesa të drejtpërdrejta për herë të parë nga shqiptarët , siç ka qenë kërkesa për republikë, për universitet, për flamur dhe siç dihet saktësisht u bënë zhvillime të hovshme pas këtyre demonstratave dhe mbeti si një kthesë e rëndësishme për historinë e re të Kosovës, ku dihet se shumë gjenerata e morën si ideal këto demonstrata deri në luftën e lavdishme të UÇK-së”, u shpreh drejtoresha e Kulturës.

Ndryshe, komuna e Ferizajt do e shënoj 50 vjetorin e demonstratave të vitit 1968 me disa aktivitete si homazhe tek pllaka përkujtimore dhe akademi solemne në përkujtim të të rënëve në këto demonstrata.

Temat: