13:21 / E Enjte, 22 Tetor 2020 / A. M.

“Ti do të akuzohesh për krime lufte”- Joe Bideni kishte refuzuar t’ia jepte dorën Millosheviqit

Pak ditë më parë shtabi zgjedhor i Joe Bidenit ka publikuar platformat për Kosovën dhe Bosnjën, të cilat do t’i përktheheshin në politika ndaj dy vendeve nëse kandidati demokrat do të zgjidhej president i SHBA-së.

Tashti në Prishtinë e Sarajevë po diskutohet se cili kandidat, do t’ishte më i favorshëm për këto dy vende, por kjo temë nuk ka kaluar pa debat as në Serbi.

Gazetari i Al Jazeera Balkans, duke komentuar qëndrimet e publikuara nga shtabi i Bidenit ka thënë se ato kanë ndodhur për shkak të prirjes së kandidatit demokrat për politikën e jashtme për shkak se Biden gjatë viteve 90’të ka udhëhequr Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit dhe është marrë edhe me Ballkanin.

Ndërkohë që Trumpi nuk është marrë asnjëherë me politikë para vitit 2016. Po ashtu, thuhet se me këto platforma Bideni synon të përfitojë votuesit amerikanë që janë me origjinë nga Bosnja, sepse i duhet secila votë. Gazetari Ivica Puliq i Al Jazeera Balkans thotë se tashmë është fakt i njohur që boshnjakët dhe kroatët me të drejtë vote në SHBA kanë një disponim pro Bidenit, ndërkohë që serboamerikanët janë të orientuar më shumë pro Trumpit. Sipas Puljiqit, bashkëpunëtor në kampin e Bidenit është bashnjaku Elvir Krepiq, i cili merret me çështjet etnike.

Duke folur për Bidenin dhe Ballkanin, Puliqi thotë se kandidati demokrat është njohës fantastik i rajonit duke u angazhuar si senator për ta ndalë Millosheviqin dhe makinerinë e tij luftarake. Puliq ka folur për një takim të Biden me Millosheviqin në Beograd ku i kishte kërkuar t’i ndalë ato që po ndodhnin në Bosnjë e Kroaci, Millosheviq i kishte sugjeruar të bisedonte me Radovan Karaxhiqin për çka Bideni kishte refuzuar. Ai po ashtu kishte refuzuar që Milloshevqit t’ia jepte dorën para gazetarëve dhe duke i thënë që t’i do “të akuzohesh për krime lufte”.

“Pra ky është Jo Bideni di të jetë i sinqertë dhe provokativ. Siç, e dini ai e ka mbështetur edhe aksionin në Kosovë përkatësisht në Serbi”.

Për raportet me Millosheviqin, Bideni ka shkruar edhe në memoaret e tij “Promises to Keep”. Aty po ashtu thuhet se Millosheviqit më 2003 ia kishte thënë troç: “Unë mendoj se ti je një kriminel i mallkuar lufte dhe si i tillë duhet të gjykohesh”.

Zgjedhjet në Amerikë mbahen më 3 nëntor. Aktualisht sipas të gjitha sondazheve që realizohen atje prin Bideni. Fjalën e tyre pritet ta thonë edhe votuesit nga Ballkani që jetojnë në Amerikë. Analisti i njohur Daniel Serwer duke komentuar për votën e shqiptarëve dhe serbëve në këto zgjedhje thotë se komuniteti shqiptar në New York nuk do ta bëjë ndonjë  dallim të madh pasi atje dhe qyteti dhe shteti i New Yorkut do të votojnë pro Bidenit. Serbët, thotë Serweri mund të kenë më shumë impakt, pasi në Ohio ka një numër më signifikant të tyre që është një “swing state” ose shtet i betejës ndërmjet dy kandidatëve.

Por, sipas Serwerit popullata më e madhe serbe në qytete të mëdha si Chicago dhe Milwaukee s’do të ketë shumë impakt.