22:18 / E Premte, 30 Shtator 2022 / Gj. Sh

“Tifozat Kuq e Zi” tregojnë a do ta përkrahin Shqipërinë pas barazimit ndaj Islandës

Tifogrupi më i madh i Shqipërisë, “Tifozat Kuq e Zi” kanë bërë një reagim pas barazimit ndaj Islandës.

Në fund të ndeshjes tifozët patën një incident me futbollistët e kombëtarës, ku ishin të zhgënjyer me rezultatin, transmeton IndeksOnline.

Përmes një reagim në faqen e tyre në Facebook, ”Tifozat Kuq e Zi”, kanë bërë të ditur se pavarësisht zhgënjimit, ata do të jenë përsër në tribuna për ta përkrahur Shqipërinë.

Ata thonë se arsyeja pse do të vazhdojnë të jenë në shkallët e stadiumit është për të mbrojtur nderin e flamurit më të bukur në botë e jo për futbollistët.

“Në shkallët e të gjitha stadiumeve ku luan Kombëtarja kemi qenë e do të jemi aty, jo për t’ju parë juve, por për të mbrojtur nderin e flamurit më të bukur në botë. Për atë flamur do të jemi gjithmonë sepse e kemi detyrim.”, thuhet në reagim.

Reagimi i plotë:

Tifozat Kuq e Zi kanë qenë, janë dhe do të jenë përgjithmonë ambasadorët e Shqipërisë! Në shkallët e të gjitha stadiumeve ku luan Kombëtarja kemi qenë e do të jemi aty, jo për t’ju parë juve, por për të mbrojtur nderin e flamurit më të bukur në botë. Për atë flamur do të jemi gjithmonë sepse e kemi detyrim.Ne nuk duam të vraponi pas fitoreve, por duam t’ju shohim se si luftoni për ngjyrat Kuq e Zi.Nuk duam ta shikoni Shqipërinë si një vend ku mund të tregoni cilësitë tuaja, por një vend ku thirrja është një mision, e fusha është betejë në të cilën duhet derdhur djersë e gjak! Të gjithë do të shkojnë, ne do të mbetemi, reflektimi juaj tashmë mbetet për tu parë. Situata nuk do të ndryshojë deri sa ta kuptoni se jeni duke luajtur për Kombëtaren, për Shqipërinë!E mos harroni se, më të vlefshme se Shqipëria nuk ka asgjë! 🇦🇱/IndeksOnline/