19:39 / E Hënë, 30 Janar 2023 / AR

Tinka Kurti: Zoje Prendi humbi pesë djemtë e saj në masakrën e Mejës, vdiq pa parë drejtësi

Zoje Prendi kishte vdekur pa parë drejtësi për dhimbjen më të madhe që mund të durojë një zemër njeriu. Ajo humbi pesë djemtë e saj, Viktorin, Sokolin, Markun, Robertin dhe Gjergjin në masakrën e Mejës. Sot as nëna Zojë nuk jeton më. Por ne nuk mund ta harrojmë atë.

Zoje Prendin e kujtuan sot deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti dhe ministrja Albulena Haxhiu.

“E kujtuam sot bashkë me Kristinën vajzën e saj, Florën të renë e saj që mbeti e ve pas 9 muajsh martesë si dhe nipin Bekimin i cili nuk ka pasur asnjë rast me e taku babain e tij”, ka thënë Kurti.

Kurti thotë se bashkë me ministren Albulena Haxhiu që po angazhohet për drejtësi për krimet e luftës takuan edhe nënën Zetën.

“Edhe ajo ka humbur dy djem. Ishin të mitur. Alialberti dhe Armendi s’janë më. Jeton veç dhimbja e nënës së tyre të fortë, Nevzete Luzhës dhe kërkesa e saj për drejtësi”, ka thënë Kurti.

Deputetja thotë se nuk do t’i harrojmë kurrë as viktimat as ata që vuajtën e vuajnë më së shumti dhimbjen jetësore të krimeve të luftës./IndeksOnline/