13:22 / E Martë, 04 Maj 2021 / FG

Tolaj kritikon autoritetet shëndetësore: S’dolën kurrë me vlerësim të gjendjes pandemike, kanë injorancë ekstreme

Situata epidemiologjike me Covid-19 në Kosovë është stabile me tendencë të përmirësimit të mëtejmë. Kjo vërehet edhe nga numri i vogël i të infektuarve.

Kështu u shpreh për Indeksonline, infektologu i njohur, Ilir Tolaj.

“Ne tash jemi në një periudhë të shkalles së ulët të përhapjes së infeksionit, gjë që është jashtëzakonisht  mirë. Vala e trete e pandemise tek ne mund të themi se është në përfundim e sipër. Pas kësaj do të kemi një peridhë të qetësisë relative, me numër të kufizuar të rasteve të reja”.

Ai tha se duhet shfrytëzuar këtë situatë për ta vaksinuar masivisht popullatën.

Tolaj ka kritika për autoritetet shëndetësore të Kosovës. Ai tha se, që nga fillimi i pandemisë e deri më sot MSH, IKSHPK dhe SHSKUK nuk kanë dalur kurrë me asnjë vlerësim të gjendjes, duke përfshirë këtu së paku grup-moshat e të infektuarve (ata që i kanë vërtetuar me testime), të hospitalizuarve dhe të vdekurve.

“Kjo më së miri flet për nivelin e përgjegjësisë dhe të përgaditjes profesionale të tyre. Vetëm injoranca ekstreme nga ana e tyre mund ta arsyetoj këtë lloj çasje jopërfillese, joprofesionale dhe plotësisht jotransparente ndaj një problemi kaq madhor, si është pandemia”.

Masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së Covid-19, Tolaj tha se ishin jashtë çdo logjike profesionale.

Tolaj thotë se duhet bërë vaksinim masiv. Ai u shpreh se duhet sa më parë të sigurohen sasi të konsiderushme të vaksinave për të vaksinuar 300-500 mijë persona, në 2-3 muajt e ardhshëm.

“Vetëm në këtë mënyrë mund të bëhet ndryshimi. Përmes imunitetit të krijuar me vaksinim, së bashku me imunitetin e krijuar nga të kaluarit e infeksionit natyror, do ta krijojmë nivelin e mjaftuar të imunitetit kolektiv i cili do të na mbrojë nga valët e reja të pandemisë, duke bërë që në të ardhmen, edhe për një kohë të caktuar, të kemi vetëm raste sporadike te reja te COVID-19, të kufizuara në numër, të cilat me nuk do të paraqitnin kurrëfarë problemi për shëndetin publik të vendit”./Indeksonline/