16:17 / E Hënë, 11 Qershor 2018 / indeksADMonline

Tragjedi në motoçiklizëm, humb jetën piloti 14 vjeçar (Video)

Tragjedi në botën e motoçiklizmit. Sot paradite ka ndërruar jetë në spital piloti 14-vjeçar spanjoll Andreas Perez, i cili ditën e diel mori plagë të rënda pas një aksidenti në kategorinë Moto 3 të CEV, kampionati europian, që u zhvillua në pistën e Montmelo. Perez u rrëzua në kthesën nr.5 dhe mbi të kaluan me motorë edhe disa pilotë të tjerë, që e patën të pamundur evitimin e kontaktit.

Pilotit iu dha menjëherë ndihma e shpejtë, fillimisht në pistë dhe më pas u dërgua me urgjencë me helikopter në spitalin e Sant Pau, në Barcelonë. Që në fillim u mësua se ai kishte marrë plagë të rënda në kokë dhe se ishte raportuar “vdekje celebrale”, por zemra e tij rrihte ende, çka la shpresë  se mund të mbijetonte.

Por përpjekjet e stafit mjekësor ishin të kota. Skuadra e Real Avintia, për të cilën garonte 14-vjeçari spanjoll dha lajmin e tragjedisë. “Këto janë moment të vështira për skuadrën dhe familjen e pilotit. Humbëm një pilot të ri dhe me perspektivë. Do të na mungojë shumë”, thuhet në komunikatën e klubit spanjoll të motoçiklizmit.