08:34 / E Hënë, 10 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Trajneri i Barcës ka një “selam” për Interin para ndeshjes me Tottenham

Humbja kundër Totenhemit në Londër i ndërlikoi shumë planet e Interit për kualifikimin e mundshëm në raundin e ardhshëm të Ligës së Kampioneve. Sepse tani nuk është gjithçka në dorën e zikaltërve.

Skuadra e Spaletit, përveçse duhet të fitojë me PSV-në (ose të barazojë në varësi të kombinimeve), shpreson që Totenhemi të mos fitojë ndaj Barcelonës.

Frika se ndoshta katalanasit nuk impenjohen në maksimum, sepse kanë siguruar vendin e parë të grupit, ekziston te tifozët e Interit, por është trajneri Ernesto Valverde që bën një premtim publik. Ai thotë se skuadra e tij do të zbresë në fushën e lojës për ta fituar ndeshjen, pavarësisht emrave që do të jenë titullarë.

“Klubi ynë e respekton shumë Ligën e Kampioneve dhe zbresim në fushën e lojës gjithmonë për të marrë maksimumin. Dua ta siguroj Interin që do të luajmë për 3 pikët,pavarësisht lojtarëve që do të hedhë në fushë”, ka thënë trajneri i Barcelonës.

Mesi, në dyshim-Por, kjo deklaratë nuk do të thotë se katalanasit do ta fitojnë ndeshjen. Sepse pas saj, trajneri Valverde la hije dyshimi mbi futbollistët që do të luajnë kundër Totenhemit.

Ai, madje, nuk garantoi që Leo Mesi do të jetë në fushën e lojës. “Nuk e di nëse do të luajë.Ta shohim të martën. Unë do t’i bëj zgjedhjet e mia në bazë të interesave të Barcelonës dhe jo në bazë të atyre të Interit”, ishte fjala e tij.

Kjo do të thotë se Barça do të bëjë rrotacion dhe do t’u japë mundësinë lojtarëve që nuk kanë pasur shumë minuta deri tani. A do të mjaftojnë ata që ta ndalin Totenhemin? Kjodo të shikohet të martën, por fillimisht Interi duhet të bëjë detyrën me PSV-në.