Trajneri i Dritës paralajmëron kundërshtarët pas triumfit ndaj Ballkanit
Drita ka mposhtur Ballkanin me rezultat 2-0 në ndeshjen e xhiros së 10-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Trajneri i “Intelektualëve”, Ardian Nuhiu ka vlerësuar lartë paraqitjen e skuadrës së tij, dhe ka paralajmëruar kundërshtarët.
“Futbollistët ishin shumë të përqendruar. Kemi analizuar mirë kundërshtarin dhe e kufizuam në mundësitë për shënim. Menaxhuam mirë ndeshjen edhe pas dy golave të realizuar dhe nëse iu qasemi ndeshjeve në këtë mënyrë, atëherë nuk do të kemi problem ta mposhtim çdo kundërshtarë”, deklaroi Ardian Nuhiu për Super Sport Kosova.
“Kemi shumë futbollistë të lënduar. U detyruam të bënim ndërrime të detyrueshme. Por, unë llogaris në të gjithë futbollistët. Ndeshjen e radhës e kemi pas tre ditësh dhe shpresoj që deri atëherë disa nga lojtarët tanë do të rikuperohen”, deklaroi Nuhiu.
Drita tashmë është në krye të Superligës me 21 pikë aq sa ka edhe rivali i qytetit, Gjilani. /IndeksOnline/