09:11 / E Mërkurë, 29 Nëntor 2023 / MSH

Tre maqedonas dhe tre kosovarë – Detaje mbi aksionin për 85 mijë euro monedha të falsifikuara

Tash e disa javë, në tregun e Kosovës kanë qenë duke qarkulluar monedha metalike 2 euro, të falsifikuara.

Prokuroria Speciale ka njoftuar sot se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, më saktësisht me departamentin e Krimeve të Rënda Ekonomike, kanë kryer një aksion nga i cili janë konfiskuar 85 mijë e 10 euro, të gjitha monedha metalike nga 2 euro, të falsifikuara.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, nga operacioni janë arrestuar në flagrancë gjashtë persona të dyshuar.

Tre prej tyre janë shtetas të Maqedonisë së Veriut, ndërkaq tre të tjerë janë shtetas kosovarë, raporton Indeksonline.

Prokuroria ka bërë të ditur se monedhat e falsifikuara janë sekuestruar në disa thasë.

Nga operacioni janë sekuestruar edhe katër vetura dhe shtatë telefona celularë.

“Personat e arrestuar me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve kohore ligjore do të bëhet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.