10:47 / E Hënë, 13 Gusht 2018 / indeksADMonline

Tre të arrestuar për gjuajtje me armë në ahengje familjare

Policia në Rajonin e Mitrovicës, po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme policore për të siguruar rendin dhe qetësinë publike në rajonin e Mitrovicës.

Gjatë dy ditëve të fundit, njësitet policore në rajonin e Mitrovicës, kanë reaguar në tri lokacione ku kishte informacione për të shtëna me armë.

Sipa spolicisë, veprimet policore ishin orientuar drejt identifikimit të lokacionit ku ishin dëgjuar të shtënat, si në Mitrovicë, Skenderaj e Vushtrri, ku si rezultat i reagimit të shpejtë të njësive policore ka rezultuar që në të tri lokacionet të konfiskohen tri armë, të cilat dyshohet se janë përdorur në ahengje familjare.

Në cilësi të të dyshuarve janë arrestuar tre persona, të cilët dyshohet se kanë përdorur armët në ahengje familjare, ndërsa pas procedurave intervistuese tre të dyshuarit me urdhër të prokurorit janë liruar për procedurë të rregullt.

Ndaj tyre janë iniciuar raste për veprën penale ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘mbajtje në pronësi , kontroll të paautorizuar të armës’.

Policia apelon te qytetarët që të shmangin veprimet e tilla, ku përdorimi i armëve në ahengje dhe dasma është i sanksionuar me ligj. Policia do të ndërmarrë të gjitha veprimet sipas autorizimeve, përfshirë ndalimin e personave të dyshuar, ndaljen e kolonave me dasmorë, si dhe bastisjen e lokacioneve ku dyshohet se janë përdorur armët.