09:01 / E Enjte, 30 Janar 2020 / indeksADMonline

Tregojnë statistikat: Përballë Ronaldos, Ibra është gjithmonë humbës

Muajt e ardhshëm të futbollit do të jenë shumë intensivë, por fitorja e Milan-it në çerekfinalet e Kupës së Italisë e ka bërë gjithçka akoma më të veçantë.

Gjysmëfinalja e dyfishtë mes kuqezinjve dhe Juventus-t premton shkëndija, sepse do të vërë përballë njëri-tjetrit dy emra me peshë: Zlatan Ibrahimovic dhe Cristiano Ronaldo.

Duke konsideruar se do të luhet edhe ndeshja e fazës së dytë në kampionat, dy yjet rrezikojnë të përballen tri herë në harkun e pak muajve. Dhe spektakli është i garantuar, edhe pse njëri nga të dy nuk ka shumë kujtime të bukura. Ku përballet me CR7, në fakt, Ibra bëhet njeri.

Gëzimi i vetëm i Ibrahimovic kundër Cristiano-s ka qenë në 29 nëntorin e 2009-ës në La Liga, sepse ka qenë një gol i suedezit që ka vendosur El Clasico-n në Camp Nou.

Në kohën kur luante me Inter-in, në sezonin 2008/09 është përballur me United-in e fundit të Cristiano-s, atë që një vit më parë kishte fituar Champions League.

Kanë qenë 1/8-at e Champions League dhe Djajtë e Kuq janë kualifikuar me një barazim në ndeshjen e parë dhe një 2-0 në atë të kthimit, me golin e dytë që është shënuar nga portugezi.

Përballja tjetër ka qenë në 2010-ën, kur suedezi ishte te Milan. Përballje e dyfishtë në fazën me grupe të Champions League kundër Real Madrid, 2-0 me gol të Cristiano-s dhe 2-2 pa asnjë gol nga ata të dy.

Edhe te PSG, Zlatan e ka gjetur përsëri përballë portugezin, gjithmonë në fazën me grupe. Edhe në atë rast, një barazim (0-0)dhe një fitore e skuadrës së CR7-të (1-0, por golin e ka shënuar Nacho).

Mundësia e fundit për t’u përshëndetur në fund ka qenë Superkupa e Europës në 2017-ën, por suedezi nuk ka luajtur për shkak dëmtimi.

Situata nuk ndryshon për Ibrahimovic as për sa i takon përballjeve mes kombëtareve respektive. I vetmi rast që Ibra ka arritur të shënojë kundër Portugalisë, ka qenë në playoff-et për Kupën e Botës të 2014-ës. Zlatan ka shënuar dy gola, por Cristiano ka shënuar tre dhe ka kualifikuar përfaqësuesen e tij në Brazil.

Me pak fjalë, pesë herë fituesi i Topit të Artë ka një avantazh të thellë ndaj Ibrahimovic. Megjithatë, Zlatan do të ketë plot tre raste për ta ngushtuar.