21:16 / E Martë, 14 Qershor 2022 / AR

Trendi i ri i TikTok do t’ju bëjë më pak të ashpër ndaj vetes

Të qenit kërkues nga vetja mund të jetë shumë e mirë për t’ju çuar përpara në jetë. Megjithatë, ka një kufij të hollë që ndan të qenit kërkues me të qenit të ashpër ndaj vetes.

Kur ndodh kjo e fundit, ju do ta keni më të vështirë për t’u ndjerë të lumtur pa menduar për hapin e radhës apo për “fitoren” tuaj të radhës.

E gjithë pakënaqësia ndaj vetes mblidhet për të shpërthyer më pas në forma të shëndetit mendor, si ankthi apo depresioni.

Një trend interesant në TikTok, mund të shërbejë si një rikujtesë e mirë për t’u treguar më të mirë me veten: Herës tjetër që do shani, ofendoni apo flisni keq për veten, mbani mend se këto fjalë po ia thoni edhe fëmijës brenda jush, vetes suaj të vogël!

Në psikologji, “fëmija i brendshëm” është aspekti fëmijëror i një individi. Ai përfshin atë që një person ka mësuar si fëmijë dhe shpesh, konceptohet si një copëz personaliteti e vendosur në ndërgjegjen tonë.

Shpesh, “fëmija ynë i brendshëm”, ka nevojë për dashuri dhe shërim. Mbajeni mend këtë herës tjetër, kur do të mendoni diçka të keqe për veten tuaj. A do t’i flisnit në atë mënyrë një fëmije? Po nëse fëmija jeni vetë ju?