14:36 / E Enjte, 17 Nëntor 2022 / AR

Tri raste aktive me Covid-19 në Kosovë, 0 raste dhe 400 mijë vaksina në stok! Kur do të shpallë Kosova fundin e pandemisë?

Aktualisht në Kosovë janë vetëm tri raste aktive me Covid-19. Ndonëse numër i vogël i rasteve, Kosova ende nuk mund ta shpallë fundin e pandemisë.

Kështu thonë nga Ministria e Shëndetësisë për Indeksonline. Në përgjigjen e tyre bëjnë të ditur se pandeminë mund ta shpallë të mbyllur vetëm Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Përkundër që në vendin tonë numri i rasteve me Covid-19 është i ulet, na lejoni që të ju njoftojmë se OBSh ende nuk e ka deklaruar të mbyllur Pandeminë Covid-19. Kosova ndjek rekomandimet e OBSh-së dhe organizatave te tjera relevante lidhur me Covid-19”, thonë nga MSh.

Njëjtë pohon edhe infektologu Ilir Tolaj, megjithëse ai thotë se “pandemia ka përfunduar, pa asnjë dyshim”.

“Tash jemi në fazen endemike, duke jetuar me virusin dhe variantet e tij. Mund të ketë raste të reja në numër të caktuar, por asnjëherë jo në numrin dhe pasojat që i kemi perjetuar. Pandeminë mund ta shpalle të mbyllur vetëm OBSH”, thekson Tolaj për Indeksonline.

Në anën tjetër, po vazhdon vaksinimi kundër Covid-19. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë vaksinuar 12 persona.

Ministria e Shëndetësisë njofton se në stok aktualisht janë rreth 400 000 vaksina kundër Covid-19./Indeksonline/