10:19 / E Shtunë, 16 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Tri skuadra të mëdha gati të “presin biletën” për Evropianin

Eliminatoret e Europianit 2020 do të vijojnë mbrëmjen e sotme ku do të jetë radha e Gjermanisë dhe Holandës për të prerë një biletë për fazën finale të kompeticionit, ashtu siç kanë bërë thuajse të gjitha skuadrat e mëdha deri tani.

Kështu “Tulipanët” do të udhëtojnë drejt Irlandës së Veriut, ku do të mjaftohen edhe me një barazim për të siguruar matematikisht kalimin për në fazën tjetër, ndërsa nga ana tjetër bardhejeshilët kanë nevojë për një fitore me dy gola diferencë, për të mbajtur gjallë shpresat.

Më e lehtë paraqitet sfida për Gjermaninë, që do të presë në shtëpi Bjellorusinë, një skuadër që ka arritur të grumbullojë vetëm 4 pikë në këto javë të para, ndërsa një fitore e djemve të Low, e kombinuar me barazim apo fitore të Holandës në Irlandën e Veriut, do të kualifikonte edhe “Panzerat”.

Edhe nënkampionia e botës, Kroacia pritet të presë sonte biletën për një vend në Euro 2020, pasi do të presë në Zagreb skuadrën e Sllovakisë, ku do t’i mjaftojë edhe një barazim për vulosur kualifikimin.

Nga ana tjetër Sllovakia ka nevojë për maksimumin e pikëve sonte, që të ketë gjithçka në dorën e saj për ndeshjen e fundit që do të luhet tre ditë më vonë. Ndeshja tjetër e grupit mes Uellsit dhe Hungarisë, do të jetë gjithashtu mjaft interesante, pasi të dy skuadrat duan një vend në Euro 2020.

Hungaria është më pranë kualifikimit dhe do të vuloste gjithçka sonte me një fitore, duke qenë se luan ndeshjen e fundit në grup, ndërsa Uellsi me triumfin e mundshëm sonte do të rihapte shpresat dhe do të luante gjithçka në ndeshjen e fundit.

Në Grupin G Polonia ka arritur të sigurojë një biletë për në Europian, ndërsa të njëjtën gjë mund të bëjë sonte edhe Austria, që do të presë në shtëpi Maqedoninë e Veriut. Austriakët kanë 5 pikë më shumë se Maqedonia e Veriut, Izraeli dhe Sllovenia, dhe për të siguruar matematikisht kualifikimin kanë nevojë për vetëm dy pikë në dy ndeshje, por mund të festojnë që sonte, nëse triumfojnë ndaj Maqedonisë së Veriut.

Në Grupin I është vendosur gjithçka, me Belgjikën dhe Rusinë që do të jenë dy skuadrat pjesëmarrëse në Euro 2020, por mbrëmjen e sotme në Moskë, të dy ekipet do të përballen me njëra-tjetrën, për të diskutuar se kush do të shkojë si kokë grupi.

Belgët kanë qenë perfektë në këto eliminatore duke fituar të 8 ndeshjet e luajtura deri tani, ndërsa mjaft mirë ka bërë edhe Rusia, që ka fituar 7 ndeshje dhe ka humbur vetëm në transfertë ndaj Belgjikës.

Megjithatë në ndeshje direkte Belgjika ka triumfuar 3-1 ndaj Rusisë dhe për të synuar vendin e parë, këta të fundit duhet të tentojnë fitoren me më shumë se dy gola diferencë mbrëmjen e sotme në Moskë